Një apel prekës për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku kërkohet mbështetja e shqiptarëve për Emiliano Lulen, një personazh që prej vitesh ka dëshmuar forcë dhe sakrificë, e që sot po përballet me një situatë shumë të vështirë shëndetësore.
Emiliano është një emër i njohur për shumëkënd. Në vitin 1997, gjatë trazirave të luftës civile në Shqipëri, ai tentoi të shmangte shpërthimin e një detonatori për të shpëtuar disa fëmijë, moment në të cilin u plagos rëndë në sy. Copëza metali i dëmtuan shikimin dhe, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të dështuar në Moskë në vitin 2001, ai u kthye në Shqipëri plotësisht i verbër.
Pas një periudhe të gjatë ankthi dhe depresioni, Emiliano arriti të ringrihej dhe të bëhej një figurë frymëzuese për shumë njerëz. Megjithatë, mjekët e kanë informuar se ka vetëm një mundësi për një ndërhyrje delikate në retinë, e cila prej vitesh është mbajtur nën kontroll përmes vizitave të shpeshta në SHBA. Kostot e kësaj ndërhyrjeje kanë qenë gjithmonë shumë të larta, duke shkuar nga dhjetëra deri në mbi njëqind mijë dollarë.
Sot, situata e tij është përkeqësuar ndjeshëm pas një aksidenti të rëndë automobilistik të ndodhur rreth një muaj më parë. Ai ka pësuar dëmtime serioze në krah, ku mjekët rekomandojnë vendosjen e implanteve ortopedike me pllaka titani dhe vida, një ndërhyrje që kërkon klinika shumë të specializuara për shkak të rrezikut të dëmtimit të nervit radial.
Siç shprehet edhe vetë Emiliano në videon e dërguar në redaksi, aksidenti i ka hequr mundësinë për të pritur më gjatë për operacionin e syrit, duke e bërë ndërhyrjen urgjente dhe të pashmangshme nëse ka ende shpresë për rikuperim, qoftë edhe të pjesshëm, të shikimit.
Familjarë dhe miq u bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve që kanë mundësi të kontribuojnë, pasi çdo ndihmë, sado e vogël, mund të bëjë një diferencë të madhe për jetën e Emilianos.
JOQ Albania i uron Emilianos forcë dhe shpreson që ky apel të gjejë zemra të hapura për ta ndihmuar në këtë betejë të vështirë.