Ministria e Brendshme e Italisë ka marrë vendimin për të pezulluar udhëtimet e organizuara të tifozëve të Romës dhe Fiorentinës deri në përfundim të sezonit aktual të Serie A. Kjo masë vjen si pasojë e incidenteve të rënda të ndodhura fundjavën e kaluar në një autostradë, ku u përfshinë grupe tifozësh të të dyja skuadrave, si dhe për shkak të rasteve të mëparshme problematike të regjistruara brenda dhe jashtë territorit italian.
Para se të bëhej publik vendimi zyrtar, presidenti i Lega Serie A, Ezio Simonelli, reagoi duke dënuar ashpër ngjarjet dhe duke theksuar se akte të tilla dëmtojnë rëndë reputacionin e futbollit italian.
“Ajo që ka ndodhur është jashtëzakonisht serioze. Po investojmë shumë për të ndërtuar një imazh pozitiv të futbollit dhe sjellje të tilla nuk ndihmojnë aspak. I kam dërguar një mesazh falënderimi forcave të policisë për angazhimin e tyre në ruajtjen e rendit publik”, u shpreh Simonelli.
Në përmbyllje, kreu i Serie A bëri një thirrje të qartë dhe të prerë, duke theksuar se futbolli italian nuk mund të tolerojë ndërthurjen e sportit me kriminalitetin dhe përleshjet që vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njerëzve.