Një situatë alarmante është evidentuar në zonën e Portëzës, në qytetin e Fierit, ku një kabinë elektrike e hapur po rrezikon jetën e fëmijëve që luajnë pranë rrugës.
Banorët e zonës shprehen të shqetësuar, pasi fëmijët kalojnë dhe luajnë çdo ditë shumë afër kabinës, e cila është e pambrojtur dhe përbën rrezik të madh për aksidente fatale. Sipas tyre, janë kontaktuar elektricistë për ndërhyrje, por ata janë shprehur se nuk janë përgjegjës për këtë zonë dhe nuk kanë dhënë zgjidhje, duke lënë situatën pezull.
“Ne nuk dimë kujt t’i drejtohemi. Kabina është e hapur dhe askush nuk merr përgjegjësi”, shprehen banorët, të cilët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme.
Qytetarët apelojnë që rasti të bëhet publik dhe autoritetet përgjegjëse të marrin masa sa më shpejt, për të garantuar sigurinë e fëmijëve dhe banorëve të zonës.