Një qytetar nga Tirana i është drejtuar redaksisë sonë për të ngritur shqetësimin mbi një problem serioz që po ndodh në një pallat në kryeqytet.
Pallati, i ndërtuar gjatë periudhës së diktaturës dhe i ndodhur në zonën e Oxhakut, prej vitesh ka një bodrum të mbushur me ujë, situatë që sipas banorëve përbën rrezik për shëndetin dhe sigurinë e tyre. Lagështira e vazhdueshme dhe kushtet e papërshtatshme kanë krijuar shqetësime të vazhdueshme për banorët e godinës.
Sipas informacioneve të siguruara, pavarësisht ankesave të përsëritura pranë Bashkisë së Tiranës, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë zgjidhje konkrete për eliminimin e problemit. Ndërhyrjet e kryera kanë qenë të përkohshme dhe pa efekt afatgjatë, duke e lënë situatën të pandryshuar.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të gjendjes dhe për të shmangur pasoja më të rënda në të ardhmen.