Kolaps i përsëritur i e-Albania: Dështimi i AKSHI-t paralizon shërbimet bazë për qytetarët

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 21.01.2026, 13:28

Mëngjesi i kësaj të mërkure ka nisur me kaos dhe pasiguri për mijëra qytetarë në të gjithë vendin, pasi platforma shtetërore e-Albania ka dalë sërish jashtë funksionit. Një situatë që po përsëritet shpesh gjatë dy muajve të fundit, duke i lënë qytetarët e thjeshtë pa akses në shërbime jetike, për të cilat tashmë shteti nuk ofron më alternativa fizike.

Qytetarë të shumtë raportojnë se për shkak të mosfunksionimit të sistemit nuk mund të marrin raporte mjekësore, dokumente të domosdoshme për trajtim shëndetësor, për mungesa në punë apo për përfitime të tjera ligjore. Pacientë kronikë, të moshuar dhe prindër me fëmijë të sëmurë janë detyruar të presin pa asnjë sqarim, ndërsa shërbimi shëndetësor mbetet i paralizuar nga një problem teknik.

Po aq shqetësuese është situata edhe në kolaudimin e automjeteve. Qindra drejtues mjetesh kanë mbetur të bllokuar, të paaftë për të përfunduar procedurat e detyrueshme, duke rrezikuar gjoba apo penalitete, pa pasur asnjë faj. Qytetarët shprehen se kanë humbur orë të tëra në pritje, ndërsa sistemi nuk funksionon dhe askush nuk mban përgjegjësi.

Gjithashtu qindra biznese nuk kanë mundur të kryejnë deklarime, aplikime apo shërbime që lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin e tyre ekonomik, duke pësuar humbje financiare dhe vonesa të panevojshme. Profesionistë të lirë, kontabilistë dhe sipërmarrës raportojnë se puna e tyre është paralizuar plotësisht.

Pavarësisht miliona eurove të investuara ndër vite dhe propagandës për “suksesin e digjitalizimit”, këto ndërprerje të shpeshta tregojnë qartë një dështim serioz të AKSHI-t, institucioni që ka në varësi administrimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale shtetërore. Mungesa e transparencës, e një njoftimi zyrtar dhe e një plani emergjence vetëm sa e thellon mosbesimin e publikut.

Në një shtet ku shërbimet janë zhvendosur pothuajse tërësisht online, dështimi i platformave digjitale nuk është thjesht një problem teknik, por një krizë funksionimi e shtetit.

Denoncimi1:

Kemi një orë të bllokuar te qendra e kontrollit teknik në Prezë, nuk ka sistem.

Denoncimi 2:

Kemi dy orë që presim, s'ka sistem te kolaudimi në Prezë.

Denoncimi 3:

Përshëndetje, si jeni? Shërbimi i e-Albania s'ka sistem, u bë 4 ditë s'marrim dot raportin ta çojmë në punë se jemi sëmurë.

Denoncimi 4:

Përshëndetje, te patenta në Kashar kemi 3 orë që s'ka sistem, është paralizuar situata

Denoncimi 5:

Përshëndetje, ju drejtohemi ju se nuk gjejmë zgjidhje tjerër. Kemi që në orën 8:00 në kontrollin fizik e kolaudim në Fier që s'punon sistemi, vazhdon kjo aventurë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit