Andri Vokrri, i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e Petrit Ndout me çekiç, ka shprehur pendesë për ngjarjen. Pas daljes së pijes, ai është marrë sërish në pyetje, ku ka deklaruar se nuk kishte pasur qëllim ta vriste viktimën.
Sipas dëshmisë së tij, në momentin e ngjarjes ndodhej në gjendje të dehur dhe nuk arrin të kujtojë qartë se çfarë kishte ndodhur, madje as nëse personi me të cilin ishte konfliktuar kishte humbur jetën apo jo.
“Nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur. Isha i dehur dhe kujtoj vetëm që pashë një makinë që më kishte zënë rrugën. I kam kërkuar që të largohej dhe të kaloja i pari pasi mund të bënim aksident. Nuk më dëgjoj dhe kaluam paralel. Kur pash që makina u fërkua dola dhe e godita me çekiç. Nuk doja ta vrisja”, ka deklaruar 28-vjeçari.
Ndërkohë, dy shokët e tij, Lorenc Goga dhe Fation Kulla, të arrestuar për veprën penale të moskallëzimit të krimit, kanë pohuar se u larguan nga vendngjarja në momentet e para për shkak të frikës lidhur me atë që mund të kishte ndodhur.