Sot mbushen 15 vite nga 21 Janari, dita kur shteti ngriti armën ndaj qytetarëve të vet dhe katër jetë u shuan në mes të bulevardit. Më 21 janar 2011, gjatë demonstratës së organizuar nga opozita socialiste kundër qeverisë së atëhershme të Sali Berishës, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika dolën për të protestuar dhe u kthyen në shtëpi në arkivole. Plumbat e Gardës së Republikës i ndalën përgjithmonë ëndrrat e tyre, duke lënë pas familje të copëtuara, prindër që presin drejtësi dhe një shoqëri që ende sot mban mbi supe peshën e asaj dite të përgjakshme.
Pesëmbëdhjetë vite më pas, dhimbja është po aq e freskët, ndërsa drejtësia mbetet e munguar. Asnjë zyrtar i lartë, asnjë drejtues dhe asnjë politikan nuk ka mbajtur përgjegjësi reale për vrasjet. Gardistët që qëlluan mbi protestuesit janë të lirë, të dënuar vetëm lehtë për “neglizhencë”, sikur jeta e katër qytetarëve të ishte një gabim procedural. Partia që i nxori në demonstratë, sot gëzon pushtetin dhe bëjnë si të prekur vetëm kur data shënon 21 Janar, ndërsa një nga premtimet më të forta të asaj kohe zbardhja e plotë e dosjes së 21 Janarit, mbetet ende një premtim i thyer, një plagë e hapur që thellohet me çdo vit heshtjeje.
Shpresa për drejtësi u ringjall pjesërisht pas vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në vitin 2023, e cila pranoi se hetimet ishin penguar dhe se të drejtat e viktimave ishin shkelur. Së fundmi, Policia ka kërkuar rihapjen e hetimeve për rastin e Aleks Nikës, ndërsa familjarët kanë depozituar kallëzime të reja penale ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi. Edhe pse gjykata ka akorduar dëmshpërblim financiar, për familjet e Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës paratë nuk zëvendësojnë drejtësinë. 21 Janari mbetet një britmë e mbytur në historinë e Shqipërisë, një kujtesë e dhimbshme se pa drejtësi, plagët e së shkuarës nuk shërohen kurrë.