Champions League: Arsenal i shkakton humbjen e tretë rradhazi Interit, Real shkatërron Monakon, Sporting shtang PSG-në

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.01.2026, 23:49

Mbrëmja e sotme e Ligës së Kampionëve solli emocione të forta, rezultate surprizuese dhe plot gola në disa prej stadiumeve më të rëndësishme të Europës.

Në “San Siro”, Interi u mposht 3-1 nga Arsenali, duke regjistruar humbjen e tretë radhazi në këtë fazë të kompeticionit. Londinezët dominuan takimin dhe gjetën rrjetën dy herë me Gabriel Jesus, ndërsa goli tjetër u shënua nga Gyökeres. Për zikaltërit, goli i vetëm mbeti ai i Suçiç, i pamjaftueshëm për të shmangur një tjetër disfatë.

Me këtë fitore, Arsenali i Mikel Artetës konfirmohet në krye të renditjes me ecuri perfekte, ndërsa situata për Interin ndërlikohet ndjeshëm. Skuadra e drejtuar nga Chivu mbetet në kuotën e 12 pikëve dhe objektivi i 8 vendeve të para bëhet gjithnjë e më i vështirë. Zikaltërit do ta mbyllin fazën e ligës në Gjermani, ndaj Borussia Dortmund, në një sfidë vendimtare.

Spektakël i madh u regjistrua në Madrid, ku Real Madrid shkatërroi Monacon me rezultatin e thellë 6-1. Protagonist absolut i mbrëmjes ishte Kylian Mbappé, autor i dy golave ndaj ish-ekipit të tij, por shkëlqeu edhe Vinícius Júnior, i cili shënoi një gol dhe dha dy asiste. Në listën e golashënuesve u regjistruan gjithashtu Bellingham dhe Mastantuono, ndërsa një autogol i Kehrer e thelloi më tej rezultatin. Goli i vetëm për Monacon u shënua nga Teze.

Humbje befasuese për PSG, që u mposht 2-1 në transfertë nga Sporting CP. Dy golat e Suarez i dhanë fitoren portugezëve, ndërsa për parisienët realizoi Kvaratskhelia, por pa mjaftuar për të marrë pikë.

Fitore të rëndësishme shënuan edhe:

  • Tottenham, që mundi Borussia Dortmund 2-0
  • Ajax, fitues me rezultatin 1-2 në fushën e Villarreal
  • Olympiacos, që triumfoi 2-0 ndaj Bayer Leverkusen

Ndërkohë, Napoli u ndal në barazim 1-1 në transfertë ndaj Copenhagen, duke zhgënjyer përballë një kundërshtari që luajti me një lojtar më pak që nga minuta 35-të e pjesës së parë.

Champions League vazhdon të dhurojë surpriza dhe tension, ndërsa gara për kualifikimin hyn në fazën më vendimtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit