Taksisti denoncon të riun: Më paguajti me 100 dollarë fals, bëni kujdes!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.01.2026, 23:30

Një taksist nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast mashtrimi, ku sipas tij ka rënë pre e një pagesë me kartëmonedhë 100 dollarëshe të falsifikuar.

Ngjarja, sipas denoncuesit, ka ndodhur mbrëmjen e sotme rreth orës 20:00 në zonën e Astirit, ku një i ri rreth 25-vjeç, me gjatësi rreth 1.80 m, ka udhëtuar me taksi drejt zonës së TEG-ut dhe ka kryer pagesën në dollarë.

Taksisti shprehet se fillimisht nuk e ka kuptuar se kartëmonedha ishte e falsifikuar, pasi ishte e realizuar mjaft mirë. Dyshimet i janë konfirmuar më pas, kur ka shkuar në një pikë këmbimi valutor për të marrë kusur, ku i është thënë se 100 dollarëshi ishte fals.

Në mesazhin drejtuar redaksisë, ai apelon për kujdes ndaj kolegëve të tij:

“Ju bëj thirrje të gjithë taksistëve të kenë kujdes dhe të mos pranojnë pagesa në dollarë. Taksia ime ka kamera brenda dhe jashtë dhe pamjet do t’i dërgoj në polici. Ne nxjerrim bukën me këtë punë dhe nuk është e drejtë të mashtrohemi.”

Ai shton se nga puna e ditës kishte fituar rreth 45 mijë lekë të vjetra, ndërsa humbja nga kartëmonedha e falsifikuar arrin në rreth 82 mijë lekë të vjetra.

Në videon e dërguar në redaksi, taksisti përsërit thirrjen për kujdes, duke theksuar se dyshon se i riu nuk ishte i vetëm dhe se persona të tjerë mund të rrezikojnë të bien pre e të njëjtit mashtrim.

Redaksia e JOQ Albania publikon këtë denoncim për qëllime informuese dhe apelon që çdo rast i ngjashëm të referohet pranë organeve kompetente.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit