Një moment revolte ka shënuar takimin e zhvilluar në foltoren e Sali Berishës, ku një qytetar demokrat ka marrë fjalën dhe ka shpërthyer me akuza dhe thirrje të forta për veprim radikal kundër qeverisë.
I revoltuar, ai i është drejtuar drejtpërdrejt ish-kryeministrit Berisha, duke kërkuar që protesta të mos mbetet më në nivel simbolik apo deklarativ.
“Kjo është protestë, kjo është revolucion! Jo protesta si ju aty që dilni me kartona. Unë jam mërzitur. Nuk dua më foltore,” – është shprehur ai para të pranishmëve.
Më tej, demokrati ka bërë thirrje për një aksion më të ashpër, duke përmendur bllokimin e kryeqytetit si formë presioni politik.
“Merr 50 deputetë dhe me 50 kamionë të bllokojmë bulevardin. Duhet të bllokohet Sheshi Skënderbej deri tek Nënë Tereza,” – ka deklaruar ai, duke nxitur reagime të forta në sallë.
Ngjarja tregon rritjen e tensioneve dhe pakënaqësisë në bazën demokrate, si dhe kërkesën për aksione më të forta dhe më të drejtpërdrejta kundër mazhorancës.