Një grup i organizuar kriminal me përbërje shqiptare, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, është shkatërruar pas një operacioni masiv të koordinuar nga Prokuroria e Antimafias në Itali.
Hetimet e ndjekura nga policia e Reggio Emilia kulmuan në orët e para të mëngjesit me ekzekutimin e 9 masave të sigurisë të lëshuara nga Gjykata e Bolonjës. Anëtarët e kësaj organizate akuzohen zyrtarisht për “grup të strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, duke operuar si një rrjet i mirëfilltë transnacional.
Goditja përfundimtare ndaj celulës shqiptare u shtri në disa provinca italiane, si Brescia, Bergamo, Savona dhe Reggio Emilia, por aksioni nuk u ndal me aq. Falë bashkëpunimit të ngushtë me forcat e huaja të rendit, përfshirë Policinë Kriminale Shqiptare, operacioni u zhvillua njëkohësisht edhe në Francë, Spanjë dhe Shqipëri.
Autoritetet italiane bëjnë me dije se ky rrjet kishte një strukturë të mirëorganizuar dhe një rol kyç në furnizimin me drogë në tregjet evropiane. Aktualisht, hetimet po vijojnë për të zbardhur hierarkinë e plotë të grupit dhe asetet financiare të krijuara nga aktiviteti i paligjshëm.