425 tentativa hakerimi ndaj kompjuterit të Altin Dumanit, interes për dosje sekrete dhe ministra

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 20.01.2026, 21:07

Zbardhen detaje të rënda nga dosja hetimore e SPAK lidhur me sulmet kibernetike ndaj Prokurorisë së Posaçme. Sipas materialeve të siguruara nga emisioni “Në Shënjestër”, kompjuteri i ish-drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, është tentuar të hakërohet plot 425 herë gjatë periudhës shkurt–mars të vitit të kaluar.

Hetimi lidhet me ndërhyrjen e paligjshme në sistemet kompjuterike dhe emailet e disa prokurorëve të SPAK, për të cilën janë marrë të pandehur Agim Ismaili, ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, si edhe dy persona të lidhur me të, Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj. Sipas gazetarit Xhevair Zhabina, në shënjestër të sulmeve ka qenë edhe kreu aktual i SPAK, Klodian Braho.

Dosja hedh dritë mbi interesin e të akuzuarve për materiale hetimore me nivel sigurie “sekret”, si dhe për të dhëna që lidhen me hetime të ndjeshme, përfshirë edhe dyshime nëse kishte procedime të hapura ndaj ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, epror i drejtpërdrejtë i Agim Ismailit në kohën kur ky i fundit drejtonte Burgjet.

Sipas SPAK, gjithçka u zbulua pas veprimtarisë së shtetasit Zambak Gjoni, ish-punonjës i Drejtorisë së Burgjeve dhe më pas i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, i cili dispononte në mënyrë të pajustifikuar materiale hetimore të klasifikuara. Në mars 2025, ai i kishte dërguar një pjese të këtyre dokumenteve një gazetari, me qëllim publikimi.

Ky veprim rezultoi vendimtar për zbulimin e skandalit, pasi gazetari, sapo konstatoi se bëhej fjalë për materiale nën hetim dhe me përmbajtje sekrete, njoftoi menjëherë SPAK. Prokuroria nisi hetim të thelluar për rrjedhjen e informacionit, ndërsa Altin Dumani urdhëroi zgjerimin e verifikimeve për të zbuluar burimin dhe mënyrën e depërtimit në sistemet e institucionit.

Në dosjen hetimore thuhet se më 12 mars 2025, Dumani informoi zyrtarisht prokurorin e çështjes se Zambak Gjoni kishte shpërndarë dokumente në format “Word” lidhur me procedimin penal nr. 277/1 të vitit 2022, që lidhet me aferën e inceneratorit të Elbasanit dhe koncesionin e dhënë shoqërisë “Albtek Energy”.

Ky procedim përfshin emra të njohur si ish-ministri Lefter Koka, Alqi Bllako, Stela Gugallja, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, për të cilët SPAK ka kërkuar dërgimin për gjykim.

Hetimet po fokusohen edhe në bisedat mes Gjonit, Rrokajt dhe Ismailit, për të përcaktuar nëse qëllimi i tyre ishte thjesht informimi apo përdorimi i materialeve hetimore për shantazh ndaj personave nën hetim. SPAK thekson se përmbajtja e gjetur në telefonin e prokurorit të çështjes përkon plotësisht me materialet e shpërndara jashtë institucionit, duke forcuar dyshimet për një rrjedhje të rëndë informacioni nga brenda sistemit të drejtësisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit