Gjatë një takimi të zhvilluar në zonën e Porcelanit në Tiranë, në kuadër të turit të takimeve të foltores së Sali Berishës me qytetarët, një grua mori fjalën për të ndarë një shqetësim jetik, kushtet në të cilat trajtohet si paciente e dializës.
Me zë të lodhur nga sëmundja dhe trajtimet e vazhdueshme, ajo tregoi se dializën e kryen në ambientet nëntokësore të Spitalit Amerikan, në kushte që i përshkroi si çnjerëzore, duke ngritur shqetësime serioze për mungesën e kujdesit dhe dinjitetit në një proces kaq delikat për jetën.
Zonja, e pranishme në takim për të mbështetur opozitën, priste të paktën një reagim njerëzor apo një angazhim nga kryetari i Partisë Demokratike lidhur me koncesionin e dializës, një prej më të debatuarve, i fituar nga Spitali Amerikan dhe oligarku i Shëndetësisë Klodian Allajbeu. Por përgjigjja nuk erdhi kurrë...
Sali Berisha e anashkaloi plotësisht shqetësimin e saj, ndërsa moderatorja e takimit, Floriana Garo, ia ndërpreu fjalën dhe ia kaloi mikrofonin një pjesëmarrësi tjetër, me asnjë shenjë ndjeshmërie apo respekti ndaj gjendjes së saj shëndetësore.
Ironikisht, në podium ndodheshin dy mjekë: Sali Berisha dhe Ilir Alimehmeti. Asnjëri prej tyre nuk reagoi. Asnjë fjalë, asnjë shpjegim, asnjë shenjë empatie për një paciente që pavarësisht gjendjes së rënduar, kishte dalë nga shtëpia në një ditë të ftohtë dimri për të kërkuar mbështetje.
Takimi vijoi sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Gruaja mbeti aty, e padëgjuar, ndërsa mesazhi që u përcoll ishte i qartë, përballë një rasti konkret vuajtjeje, prioritet nuk janë hallet e qytetarëve, por axhenda politike dhe ruajtja e karrigeve.
Në fund, mungesa e reagimit nuk ishte thjesht një gafë komunikimi. Ishte një akt ftohtësie që ngre pikëpyetje serioze mbi ndjeshmërinë njerëzore dhe përgjegjësinë morale të atyre që kërkojnë të qeverisin.