26-vjeçari Armando Marku, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet britanike për veprën penale të vrasjes, është vetëdorëzuar këtë të martë në ambientet e Policisë së Tiranës.
Sipas burimeve zyrtare, Marku ishte në kërkim nga Mbretëria e Bashkuar pasi dyshohet për përfshirje në vrasjen e një ish-snajperisti në qytetin Hartlepool, ngjarje e ndodhur në vitin 2019. Për këtë rast, autoritetet britanike kishin lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, duke e përfshirë të riun në hetimet për krimin e rëndë.
Pas paraqitjes vullnetare në policinë e Tiranës, 26-vjeçari është shoqëruar nga shërbimet e Policisë së Shtetit, ndërsa pritet të nisin procedurat ligjore përkatëse në bashkëpunim me autoritetet britanike, përfshirë hapat drejt ekstradimit.
Ngjarja mbetet nën hetim, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë më shumë informacion zyrtar lidhur me veprimet procedurale ndaj tij.