Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masa sigurie ndaj gjashtë punonjësve të policisë dhe një shtetasi civil, në kuadër të operacionit të koduar “Last Bet”, të zhvilluar në zonat e Elbasanit dhe Korçës.
Sipas të dhënave hetimore, punonjës të Policisë së Shtetit dyshohet se, duke shfrytëzuar funksionin e tyre, kanë organizuar dhe favorizuar veprimtari të paligjshme të basteve sportive dhe lojërave të fatit.
Nga ekspertimi i celularëve të sekuestruar janë zbardhur biseda në aplikacionin “WhatsApp” mes dy punonjësve të policisë, të identifikuar me inicialet E.P. dhe R.T., ku flitet hapur për baste, humbje parash dhe “dorëzime” të shumave.
Në një prej bisedave, njëri prej tyre shkruan: “Naj ndeshje të sigurt?”, ndërsa përgjigjja vjen me sugjerime konkrete bastesh dhe shuma parash të përfshira.
Në komunikime të tjera, flitet për humbje financiare dhe borxhe: “Ikën 200 mij lek”, si edhe për presionin e dorëzimit të parave: “Nesër duhet me dorzu lekët e llotos”.
Përgjimet tregojnë gjithashtu se palët diskutonin për mbledhjen e parave, ndarjen e fitimeve dhe shtyrjen e pagesave, duke përdorur një gjuhë miqësore dhe të koduar, që sipas hetuesve tregon njohje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.
Nga materialet hetimore, ekzistojnë dyshime se E.P. dhe R.T., të dy punonjës policie, kanë ushtruar aktivitet të kundërligjshëm të lojërave të fatit, ndërsa E.P. dyshohet se ka bashkëpunuar edhe me një shtetas tjetër civil.
Autoritetet theksojnë se këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të detyrës dhe bien ndesh me ligjin “Për Policinë e Shtetit”, i cili parashikon se punonjësit e policisë kanë detyrë parandalimin dhe luftimin e veprimtarive kriminale, jo përfshirjen në to.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rolin e secilit person të përfshirë në këtë çështje.