Rama mbyll RTSH-në se s’ka lekë, Peleshi hap “Peleshi-Vision” me 500 mijë euro

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 20.01.2026, 19:08

Ndërsa Edi Rama po bën gati "fshesën" për t’i vënë kyçin RTSH-së me pretekstin se taksat e shqiptarëve nuk mund të mbajnë një gjigant të fjetur, Niko Peleshi ka vendosur që Kuvendi nuk mund të jetë thjesht një vend ku miratohen ligje, por duhet të jetë një Studio Hollivudi.

Pse t’u japim llogari gazetarëve që bëjnë pyetje të besdisshme, kur mund të kemi televizionin tonë, me regjinë tonë, ku ne jemi yjet, ne jemi moderatorët dhe ne jemi të vetmit që duartrokasim?

Byroja e Kuvendit ka marrë një propozim "modest": 500 mijë euro për të krijuar një "Media Hub". Nuk bëhet fjalë për një dhomë të thjeshtë me kamera, por për një qendër multimediale me Inteligjencë Artificiale (AI). Duket se deputetët tanë kanë nevojë për Inteligjencën Artificiale që t’u "përkthejë" qytetarëve se si reformat që ua rritin çmimet, janë në fakt dhurata për mirëqenien e tyre. Me 50 milionë lekë investim, tashmë nuk do të kemi thjesht seanca ku zihen për procedurë, por një "Reality Show" me regji qendrore ku çdo deputet mund të ketë emisionin e tij të preferuar: "Unë dhe Arritjet e Mia."

Projekti parashikon një drejtori të re (sikur nuk na mjaftonin drejtoritë ekzistuese) që do të merret me:

  • Edukimin e qytetarëve: Që populli më në fund të kuptojë se pse deputetët rrinë në telefon gjatë seancës.

  • Analizën e thelluar: Ku deputetët do të intervistojnë njëri-tjetrin për të rënë dakord se sa mirë po punojnë.

  • Arkivin Digjital: Që brezat e ardhshëm të kenë mundësi të shohin në rezolucion 4K se si harxhoheshin 500 mijë euro për t’i bërë tualet imazhit të thyer të parlamentit.

Ironia arrin kulmin: Ndërsa RTSH-së i kërkohet të kursejë, "Media Room-i" i ri do të bashkëpunojë ngushtë me RTSH-në për transmetim. Pra, ne mbyllim televizionin publik që të hapim televizionin e deputetëve.

Me sa duket, plani i Rilindjes është i qartë: Nëse media nuk na pëlqen, ne bëhemi media! Harroni debatet reale, harroni pyetjet pa skenar. Me "Peleshi-Vision", Parlamenti do të ketë titra, gjuhë shenjash (për ata që nuk duan t'i dëgjojnë më premtimet) dhe mbi të gjitha, një ekip që do të kurojë çdo zgerdhje e çdo gafë të pushtetit.

Për 500 mijë euro, shqiptarët nuk do të kenë më shëndetësi apo arsim më të mirë, por do të kenë mundësinë të shohin deputetët e tyre në "High Definition". Sepse në fund të fundit, "shfaqja duhet të vazhdojë", sidomos kur biletën e paguan populli!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit