“Vdes artistja e njohur”: Si po “vriten” figurat publike për klikime dhe reklama mashtruese

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 20.01.2026, 18:55

“E trishtë/ Vdes këngëtarja e njohur”, shkruhet në një postim në Facebook, i shoqëruar me një kolazh fotosh të një artisteje apo artisti shumë të njohur. Postimi të nxit të klikosh një link të fshehur në komente për të lexuar “lajmin e plotë”. Por lajmi është i rremë dhe artisti apo artistja nuk ka ndërruar jetë.

Linku të çon në një faqe interneti me tekst të krijuar nga inteligjenca artificiale, të mbushur me pikëçuditëse, pikëpyetje dhe fjali pa kuptim, që imiton gjuhën e mediave serioze. “Ajo ka lënë një trashëgimi të gdhendur në industrinë e muzikës”, thuhet aty, në një artikull që nuk jep asnjë informacion real. Qëllimi i vetëm është të mbajë lexuesin në faqe dhe t’i shfaqë sa më shumë reklama.

Pas “lajmit tronditës” fshihen reklama për të ashtuquajtura “kura mrekullibërëse” për prostatën, reumatizmën, nishanet apo problemet seksuale. Këto produkte, të paraqitura si zbulime mjekësore, janë suplemente të pacertifikuara dhe shpesh pa asnjë efekt.

Kjo skemë përdoret nga një faqe Facebook në gjuhën shqipe e quajtur “Jetë & Yje”, e administruar nga Vietnami dhe me përmbajtje të prodhuar përmes inteligjencës artificiale. Faqja ka “shpallur të vdekur” apo ka raportuar tragjedi të rreme për më shumë se një duzinë personazhesh të njohura nga showbiz-i dhe politika në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas raportimeve në media thuhet se këto postime shpesh shoqërohen edhe me video në YouTube, të prodhuara me inteligjencë artificiale dhe informacion të rremë, të cilat grumbullojnë mijëra shikime çdo ditë.

Skema njihet si “Affiliate Marketing Scams”, një formë krimi kibernetik ku mashtruesit përdorin lajme dhe video të rreme për të tërhequr vizitorë dhe për t’i shtyrë ata të klikojnë reklama për suplemente “shëruese”. Viktimat lënë të dhënat e tyre, përballen me presion psikologjik dhe paguajnë produkte që zakonisht zbulohet se nuk funksionojnë vetëm pasi paratë janë dhënë.

Edhe pse titujt janë shpesh absurdë dhe gjuha e përdorur e dobët, ndërveprimi në këto faqe është i lartë. Kjo tregon se fake news-i, edhe kur është i dukshëm, vazhdon të funksionojë dhe të përhapet.

Raste të tilla tregojnë se lajmet e rreme nuk janë thjesht clickbait, por një formë mashtrimi që dëmton besimin publik, figurat publike dhe qytetarët e zakonshëm. Verifikimi i informacionit përpara klikimit dhe shpërndarjes mbetet mbrojtja më e mirë kundër këtij fenomeni.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit