Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë ka tronditur mbrëmjen e djeshme Urgjencën e QSUT-së, ku errësira ka mbuluar pavionin e Reanimacionit, aty ku çdo sekondë vlen sa një jetë. Ndërsa pacientët në gjendje kritike mbaheshin në frymëmarrje artificiale nga pajisjet që kërkojnë energji konstante, shteti "u fik", duke lënë pas tmerrin, pasigurinë dhe dështimin total të një sistemi që reklamohet si "shëndetësia që duam".
Nuk ka turp më të madh se të shohësh Ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, të shfaqet çdo ditë nëpër studio televizive me buzëqeshje propagandistike, ndërkohë që realiteti në spitalet tona është një "pus i zi" ku jeta nuk vlen as sa një qindarkë. Mbrëmja e djeshme në Reanimacionin e QSUT ishte pika që mbushi kupën e një populli që po vdes nën vjedhjet galopante të shtetit.
Sot, pyetja që rëndon mbi Ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, nuk është më se "çfarë nuk shkoi", por se si ka mundësi që në vitin 2026, spitali më i madh në vend nuk garanton dot as elementin bazë: energjinë elektrike për jetën.
Ky nuk është thjesht një defekt teknik. Ky është një skandal përgjegjësie institucionale. Kur dritat ikin në një pavion reanimacioni, nuk kemi të bëjmë me një incident, por me një "vrasje në tentativë" ndaj të pamundurve.
Mungesa e Sigurisë: Ku janë gjeneratorët e emergjencës dhe sistemet UPS që duhet të hyjnë në punë brenda milisekondave? Miliona euro tendera për mirëmbajtje, por në momentin kritik, teknologjia tradhtoi.
Fshehja e Ngjarjes: Pse Ministria e Shëndetësisë tentoi ta kalonte në heshtje këtë makth, duke mos dhënë asnjë sqarim zyrtar deri në orët e vona? Heshtja është bashkëfajësi.
Propaganda vs. Realiteti: Ndërsa Evis Sala shpërndan video me suksese imagjinare në rrjetet sociale, realiteti i mjekëve i publikuar mbrëmë nga JOQ Albania që luftojnë në errësirë me elektrikë dore për të mbajtur njerëzit gjallë, tregon kalbëzimin e sistemit.
Në çdo vend demokratik, një ngjarje e tillë do të shoqërohej me dorëheqje të menjëhershme. Nuk mund të ketë "ndjesë" që mbulon tmerrin e një familjari që sheh aparaturën e oksigjenit të fiket sepse ministria nuk ka siguruar dot linjën e dytë të energjisë.
Evis Sala nuk mund të fshihet pas raporteve teknike. Ajo mban përgjegjësinë morale dhe ligjore për këtë pasiguri vdekjeprurëse në zemër të Tiranës. Sot, qytetarët nuk duan premtime, por llogaridhënie për jetët që u rrezikuan në errësirën e korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë.
Ik në shtëpi Evis Sala, nuk je për këtë punë!