Shefi i Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Krenar Lilaj, ka reaguar publikisht lidhur me situatën e krijuar mbrëmjen e djeshme në spital pas ndërprerjes së energjisë elektrike, duke mbajtur një qëndrim kritik ndaj kushteve në të cilat funksionojnë shërbimet më jetike.
Duke iu referuar ndarjes nga jeta të një të dënuari që po trajtohej në njësinë e terapisë intensive, Lilaj sqaroi se pacienti ndodhej në gjendje shumë të rëndë që në momentin e shtrimit. Sipas tij, gjendja shëndetësore kishte qenë kritike që ditën e parë, kur pacienti iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale emergjente.
Lilaj bëri me dije se pacienti ka ndërruar jetë në orën 04:13 të mëngjesit, ndërkohë që furnizimi me energji elektrike ishte rikthyer që mbrëmjen e mëparshme, rreth orës 21:40–21:45. Ai theksoi se të dhënat klinike janë të dokumentuara dhe se pacienti vuante nga ceroza hepatike dhe kishte pësuar një hemorragji masive intraabdominale, për të cilën ishte trajtuar kirurgjikalisht.
Megjithatë, shefi i Reanimacionit ngriti shqetësime serioze mbi kapacitetet teknike të spitalit. Ai pranoi se pajisjet rezervë të energjisë elektrike kanë kapacitet të kufizuar dhe se ngarkesa rritet ndjeshëm kur në terapi intensive trajtohen disa pacientë njëkohësisht.
“Në kushtet kur ke 9 pacientë në terapi intensive, vendimi për transferimin e tyre u mor për të shmangur rënien e njëkohshme të aparaturave jetike, çka do të sillte pasoja serioze për pacientët,” u shpreh Lilaj.
Sipas tij, sistemet “back up” sigurojnë furnizim me energji vetëm për 5–6 orë, një fakt që e bën situatën tepër të rrezikshme në raste emergjente. Ai ishte i drejtpërdrejtë edhe në vlerësimin e situatës, duke theksuar se ndërprerja e energjisë në terapi intensive nuk mund të konsiderohet normale në asnjë rrethanë.
“Detyra ime si mjek është të mbroj jetën e pacientëve. Ndërprerja e energjisë elektrike në njësinë e terapisë intensive nuk është dhe nuk mund të jetë normale,” deklaroi ai.
Reagimi i Krenar Lilajt shkon përtej një rasti të vetëm dhe ngre një alarm të fortë për sigurinë e shërbimeve kritike në QSUT, duke theksuar se çdo mungesë sigurie teknike, qoftë edhe për minuta, përbën rrezik real për jetën e pacientëve.