Një banor i zonës së Kombinatit ka denoncuar pranë redaksisë sonë një situatë shqetësuese që po problematizon përditshmërinë e banorëve të një prej lagjeve të kësaj zone.
Sipas denoncimit, disa ditë më parë punonjësit e Bashkisë kanë ndërhyrë duke shkurtruar degët e një peme, me qëllim përmirësimin e mjedisit dhe sigurisë. Megjithatë, siç ndodh shpesh në vendin tonë, rregullimi i një problemi ka sjellë krijimin e një tjetri.
Gjatë procesit të prerjes së degëve, telat kanë mbetur të varur dhe kanë përfunduar në tokë, duke u shpërndarë në formë rrjetash, të ngjashme me ato të merimangës, sikur ti kishte lëshuar vetë 'Spiderman-i'. Kjo situatë ka krijuar konfuzion dhe rrezik për kalimtarët, të cilët nuk dinë se nga duhet të kalojnë për të shmangur telat e rënë.
Banorët shprehen të shqetësuar për mungesën e masave të mëtejshme pas ndërhyrjes dhe kërkojnë që Bashkia të rikthehet në zonë për të sistemuar plotësisht problemin, përpara se të ndodhë ndonjë incident.