Në Aetolia-Acarnania të Greqisë, 50-vjeçari Kostas Alexandris u vra me armë zjarri nga një shtetas shqiptar 44-vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë publik nga autoritetet. Sipas mediave greke, motivi kryesor i krimit dyshohet të ketë qenë xhelozia, pasi autori kishte një lidhje të fshehtë me bashkëshorten e viktimës.
Bashkëshortja e Alexandris ka dëshmuar para hetuesve se burri i saj e kishte kërcënuar vazhdimisht me vdekje, si atë ashtu edhe autorin e krimit. Ajo ka deklaruar se jetonte në frikë të vazhdueshme dhe se situata mes palëve ishte shumë e tensionuar prej kohësh, me përplasje të shpeshta dhe debate të forta.
Sipas rikonstruksionit të ngjarjes, ditën e krimit 44-vjeçari e kishte ndjekur viktimën dhe i kishte ngritur pritë në një rrugë rurale të zonës. Kur Kostas Alexandris po kalonte me automjetin e tij, autori hapi zjarr, duke e qëlluar tre herë. Nga plumbat, viktima humbi kontrollin e makinës dhe përfundoi në një fushë anës rrugës, ku u gjet i pajetë, me fytyrën e kthyer nga sedilja e pasagjerit. Brenda automjetit policia gjeti edhe një pushkë gjahu, çka tregon se viktima ishte i armatosur dhe pritej një përballje mes palëve.
Pas ngjarjes, autori nuk u largua, por telefonoi vetë policinë, duke deklaruar se kishte kryer vrasjen dhe duke kërkuar të arrestohej. Ai u vetëdorëzua në banesën e tij dhe dorëzoi edhe armën e krimit. Në zonë janë shtuar masat e sigurisë për shkak të frikës nga hakmarrja, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një krim të paramenduar apo për një akt të kryer në kushtet e frikës dhe kërcënimeve të vazhdueshme.