Një shtetas shqiptar është dënuar me 10 vjet burg në Skoci, pasi ndoqi një oficer policie me një sharrë elektrike dhe tentoi ta vrasë.
Liridon Kastrati, 32 vjeç, u dënua për tentativë vrasjeje ndaj oficerit PC Gary Cowan dhe për vënien në lëvizje të një mjeti elektrik ndaj policisë, në incidentin e ndodhur më 6 maj 2024 në Paisley, Renfrewshire.
Në momentin e dhënies së dënimit, Kastrati refuzoi të pranojë fajin dhe e ofendoi gjyqtarin, duke e quajtur atë dhe Skocinë “terroristë” dhe duke përdorur fjalë të pahijshme. Menjëherë pas vendimit, ai u shfaq agresiv, duke goditur bankën e të akuzuarve dhe duke sharë shqip gjyqtarin William Gallacher.
Gjyqtari përshkroi sjelljen e tij si “shumë alarmante”, duke theksuar se Kastrati e ndoqi policin për një distancë të konsiderueshme, me sharrën elektrike të ngritur, dhe se PC Cowan mendonte se nëse nuk largohej, do t’i priteshin gjymtyrët dhe do të vritej. Gjyqtari tha se incidenti kishte potencial për t’u kthyer në “masakër”, nëse oficerët nuk do të arrinin të largoheshin në kohë.
Sipas dëshmisë së PC Cowan, incidenti nisi kur një Volkswagen i drejtuar nga Kastrati u përplas me makinën e policisë. Kur polici u afrua për ta ndaluar, Kastrati u largua me vrap, por më pas u kthye dhe e ndoqi me sharrë elektrike, duke bërtitur fjalë të pahijshme. Oficeri tha se ishte “i tmerruar” dhe se Kastrati mund të kishte shkaktuar dëme katastrofike.
Kastrati u arrestua pasi oficerët kërkuan ndihmë dhe, së bashku me një qytetar të guximshëm, e ndaluan dhe e kontrolluan.