Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar pas dy vitesh verifikimin për gjyqtaren e posaçme Irena Gjoka, duke konkluduar se ajo ka qenë e dënuar në Greqi në vitin 2005 për falsifikim vize. Sipas rezultateve të hetimit administrativ, ky dënim nuk është deklaruar nga Gjoka në formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, fakt që ka ngritur dyshime për shkelje të detyrimit ligjor të transparencës.
Formulari i vetëdeklarimit të gjyqtares Irena Gjoka
Vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme, i miratuar më 19 janar 2026, i është përcjellë menjëherë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), organi kompetent për të vlerësuar nëse gjyqtarja ndodhet në kushtet e ndalimit për ushtrimin e funksionit. Dosja përfshin vendimin autentik të gjykatës greke për dënimin, si edhe aktin e autoriteteve greke për arkivimin e çështjes, i cili është marrë për shkak se dënimi nuk është ekzekutuar.
Procesi i verifikimit u nis në maj 2024 nga Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, pas kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në KLGJ, dhe lidhej me deklarimet e bëra nga Gjoka në vitin 2016. Çështja e saj ka qenë prej kohësh objekt debatesh dhe akuzash politike, veçanërisht nga opozita dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndërsa tashmë pritet që KLGJ të marrë vendimin përfundimtar mbi fatin e saj në sistemin e drejtësisë.