U vra dje në burgun e Koridhalos, Jani Aliaj i shpëtoi një atentati të ngjashëm 6 muaj më parë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 20.01.2026, 13:50

Po dalin në dritë detaje të reja lidhur me vrasjen e Jani Alijat, e ndodhur një ditë më parë në një burg grek. Mediat në Greqi i janë rikthyer kësaj ngjarjeje të rëndë, duke e vendosur sërish në qendër të vëmendjes eliminimin e një prej figurave më të rrezikshme për drejtësinë shqiptare, i cili u vra brenda burgut të sigurisë së lartë Korydallos.

Sipas burimeve, ndaj viktimës ekzistonte prej kohësh një “urdhër vdekjeje”. Aliaj kishte arritur të shpëtonte për mrekulli nga një atentat i ngjashëm rreth gjashtë muaj më parë, po brenda të njëjtit institucion penitenciar.

Ngjarja fatale ndodhi kur një i burgosur grek 27-vjeçar, i konsideruar gjithashtu si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, hyri në qelinë e tij dhe e goditi disa herë me thikë. Si pasojë e plagëve të rënda, 49-vjeçari humbi jetën, pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmën e parë.

Viktima kishte qenë më herët i arratisur nga burgu i Korfuzit, pasi kishte përfituar leje dhe nuk ishte rikthyer më. Ai u arrestua pas afro nëntë vitesh në kërkim dhe prej asaj kohe mbahej sërish në paraburgim.

Burime pranë hetimit bëjnë të ditur se autoritetet kishin informacion për kërcënime serioze ndaj jetës së tij, ndërsa rivalë nga bota e krimit dyshohet se kishin porositur eliminimin e tij. Për këtë arsye, disa muaj më parë ishte vendosur nën regjim të posaçëm mbrojtjeje, duke u akomoduar në një qeli të përbashkët me një ish-oficer policie, i akuzuar për trafik narkotikësh.

Megjithatë, masat e sigurisë rezultuan të pamjaftueshme. Ditën e djeshme, bashkëvuajtësi arriti t’i shkaktonte plagë kritike në trup, të cilat rezultuan fatale. Autoritetet greke kanë nisur një hetim të thelluar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po analizohet edhe dështimi i protokolleve të sigurisë brenda një prej burgjeve më të ruajtura në vend.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit