Një stuhi shumë e fortë gjeomagnetike ka përfshirë Tokën, duke krijuar mundësinë e shikimit të dritave veriore (aurora borealis) në zona ku ky fenomen shfaqet rrallë. Të hënën në mbrëmje, aurorat u panë në të gjithë Kanadanë, në gjysmën veriore dhe qendrore të Shteteve të Bashkuara, si edhe në disa pjesë të Europës, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Ukrainën dhe vende të tjera të Europës Perëndimore e Lindore.
Sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të SHBA-së (NOAA), stuhia diellore është më e fuqishmja e regjistruar në më shumë se dy dekada dhe është pasojë e një shpërthimi masiv të grimcave të ngarkuara që u lëshuan nga Dielli të dielën. Reja e plazmës mbërriti në Tokë në vetëm rreth 25 orë, shumë më shpejt se zakonisht, kur një udhëtim i tillë zgjat tre deri në katër ditë.
Stuhia gjeomagnetike arriti nivelin G4 në orën 19:38 të së hënës, duke u renditur në kategorinë e dytë më të lartë të intensitetit dhe duke u cilësuar nga NOAA si “shumë e rrallë”. Paralelisht, u raportua edhe një stuhi rrezatimi diellor e nivelit S4, në një shkallë prej pesë nivelesh, e krahasueshme për nga forca me stuhitë e famshme të tetorit 2003, të njohura si “stuhitë e Halloween-it”.
Në Europë, Shërbimi Meteorologjik Gjerman bëri me dije se aurorat ishin të dukshme në disa rajone të vendit, madje edhe deri në Alpe, për shkak të fuqisë së jashtëzakonshme të stuhisë. Ndërkohë në SHBA, NOAA njoftoi se dritat veriore mund të shiheshin deri shumë më në jug se zakonisht, nga Alabama deri në Kaliforninë veriore, me nuanca të gjelbra, të kuqe dhe vjollcë.
Autoritetet amerikane kanë vënë në dijeni linjat ajrore, NASA-n, administratat e aviacionit dhe operatorët e rrjeteve energjetike për t’u përgatitur ndaj ndikimeve të mundshme. Stuhitë e tilla mund të shkaktojnë probleme në komunikimet satelitore, saktësinë e GPS-it, sinjalet radio dhe tensionet në rrjetet elektrike, si dhe përbëjnë rrezik të shtuar për astronautët dhe fluturimet në rrugë polare.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk priten pasoja të gjera në jetën e përditshme, ndërsa qielli ka ofruar dhe pritet të vazhdojë të ofrojë një spektakël të rrallë drite për vëzhguesit, veçanërisht në zona larg ndotjes së dritës. Aurorat u raportuan gjatë natës së 19–20 janarit në Rusi, Ukrainë, Bjellorusi, Europën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut, teksa aktiviteti gjeomagnetik iu afrua nivelit maksimal G5.