Mihal Pavllo Mërkuri, i dënuar për tentativë vrasjeje, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku ndodhej i shtruar prej disa ditësh. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:35, ndërsa shkaku paraprak i vdekjes raportohet të jetë arrest kardiak dhe hemorragji në kokë. Mërkuri ishte shtruar në QSUT më 18 janar 2026, rreth orës 20:21, dhe i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të hemorragjisë së brendshme (hemoperitoneum).
Rasti ngre dhe disa pikëpyetje, pasi vetëm pak orë para vdekjes së tij, QSUT u përfshi nga një ndërprerje e energjisë elektrike, situatë që shkaktoi kaos në urgjencë dhe detyroi nxjerrjen e disa pacientëve nga kujdesi intensiv. Nuk dihet ende nëse Mërkuri ndodhej në reanimacion apo në terapi intensive në momentin e ndërprerjes së energjisë, dhe nëse kjo mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt ose tërthorazi në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për hemorragji të brendshme, pacientët ndodhen në një gjendje jashtëzakonisht të brishtë, ku çdo çast ka rëndësi. Nëse Mërkuri ishte në reanimacion ose terapi intensive gjatë ndërprerjes, mungesa e energjisë mund të ketë penguar funksionimin e monitorëve të parametrave jetësorë, ventilatorëve, pompave për medikamente ose oksigjenit, duke vonuar reagimin e menjëhershëm të mjekëve ndaj ndryshimeve kritike.
Tek një pacient pas hemorragjisë dhe operacionit, edhe pak minuta pa mbikëqyrje të plotë mund të përshpejtojnë përkeqësimin e gjendjes dhe të rrisin rrezikun për arrest kardiak ose hemorragji të mëtejshme. Mungesa e energjisë mund të ketë qenë një faktor që ka kontribuar tërthorazi, por fjalën e fundit do ta thonë hetimet. Policia po heton rrethanat e vdekjes, duke përfshirë kushtet spitalore gjatë natës kritike, funksionimin e pajisjeve mjekësore dhe protokollet e ndjekura gjatë ndërprerjes së energjisë.
Mihal Pavllo Mërkuri, i lindur më 25 janar 1979 në Sarandë, ishte i dënuar me 10 vite burg për “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve”. Ai ishte ekstraduar nga Greqia në qershor 2023 dhe vuante dënimin në IEVP Burrel, nga ku ishte transferuar për trajtim mjekësor në QSUT.