Një i dënuar i sigurisë së lartë, Mihal Mërkuri, ka ndërruar jetë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku ndodhej i shtruar në reanimacionin e pavijonit të kirurgjisë.
Sipas mjekëve vdekja ka ardhur si pasojë e arrestit kardiak dhe hemorragjisë në kokë.
Mërkuri ishte duke vuajtur një dënim prej 10 vitesh burg për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Ai ishte ekstraduar nga Greqia më 20 qershor 2023 dhe më pas ishte transferuar nga burgu i Korçës në atë të Burrelit më 15 shkurt 2025.
I dënuari u shtrua në QSUT më 18 janar 2026, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale si pasojë e një hemorragjie të brendshme. Mbrëmjen e kaluar reanimacioni i QSUT u përball me një ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të një defekti teknik. Sipas deklaratës zyrtare të spitalit, ndërprerja ishte e përkohshme, pasi u aktivizuan gjeneratorët dhe aparaturat mjekësore jetike vijuan të funksiononin normalisht.