U vra në Koridhalos, Jani Aliaj dhunoi prindërit e Çiços, përplasja me grupin e Vis Martinit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 20.01.2026, 08:35

Një ngjarje e rëndë është shënuar në burgun e sigurisë së lartë Koridhalos në Greqi, ku është vrarë me thikë shtetasi shqiptar Jani Aliaj, një emër i njohur i botës së krimit. Aliaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços në vitin 2016, u sulmua nga një i dënuar grek brenda ambienteve të burgut, duke marrë dy plagë fatale. Pavarësisht ndërhyrjes, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e sakta të krimit, i cili paraprakisht dyshohet se lidhet me përplasjet mes grupeve rivale të mafias shqiptare.

Jani Aliaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vrasjes së Elton Çiços, të kryer më 1 maj 2016 në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Konflikti mes tyre kishte rrënjë të hershme, që nga viti 2000, kur Aliaj kishte vrarë me thikë E. Ballazhiun, mik i ngushtë i Çiços. Ky i fundit kishte paralajmëruar hakmarrje, madje i kishte dërguar mesazh Aliajt edhe kur ndodhej në burg. Situata u përkeqësua në vitet në vijim, me episode dhune, kërcënimesh dhe ngjarje të rënda, përfshirë grabitjen dhe dhunimin e prindërve të Çiços në Tepelenë në vitin 2015, ku si i dyshuar u përmend Erigels Mihasi, i afërt me Ervis Martinajn.

Ironikisht, Aliaj dhe Çiço kishin vuajtur dënime në të njëjtin burg në Greqi, Koridhalos, por pasi dolën të lirë, përplasjet mes tyre u përshkallëzuan. Në janar 2016, Çiço tentoi të vriste Aliajn në Tiranë dhe më pas në Gjirokastër, ku ky i fundit mbeti i plagosur lehtë. Më pas, Aliaj në bashkëpunim me Renato Milloshin e ekzekutoi Çiços. Pas vrasjes, rrethi i hakmarrjeve vijoi me atentate ndaj miqve të viktimës, përfshirë Andi Mustafarajn, si dhe me vrasjen e Nelgert Patës në gusht 2016, mik dhe bashkëpunëtor i Aliajt, duke e kthyer këtë konflikt në një nga sagat më të përgjakshme të botës së krimit shqiptar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit