Një tjetër procedurë prokurimi publik po ngre dyshime të forta për abuzim me fondet e shtetit dhe paracaktim të fituesit. Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka mbyllur së fundmi tenderin me numër reference REF-66192-10-22-2025, i cili ka si objekt rikonstruksionin e godinës së Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Fushë Krujë.

Ndonëse bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme që kap vlerën e 1.4 miliardë lekëve të vjetra me TVSH, hulumtimi i dokumentacionit tregon se gara ka qenë vetëm formale, pasi fituesi është përzgjedhur në kundërshtim me parimin e kursimit të parave publike.

Në këtë tender morën pjesë gjithsej gjashtë kompani, të cilat paraqitën ofertat e tyre për të marrë përsipër punimet në godinën e burgut. Megjithatë, ajo që bie në sy dhe përbën skandalin kryesor është fakti se institucioni shtetëror ka skualifikuar pesë konkurrentët e tjerë, për të shpallur fitues bashkimin e kompanive që kishte dhënë ofertën më të kripur në tavolinë.

Bashkimi i operatorëve ekonomikë i përbërë nga firmat “2Z KONSTRUKSION” në pronësi të Zani Zogës, “TOTILA” në pronësi të Jemin Totos dhe “ASI-2A CO” në pronësi të Andrea dhe Astrit Gjikondajt, arriti të rrëmbejë kontratën me vlerën 117,499,290 lekë të reja pa TVSH.

Pyetja që lind natyrshëm është se përse Operatori i Blerjeve të Përqendruara vendosi të zgjedhë pikërisht bashkimin e kompanive Zoga, Toto dhe Gjikondaj, kur operatorët e tjerë kishin ofruar të kryenin të njëjtat punime me një kosto shumë më të ulët për buxhetin e shtetit.

Diferenca mes fondit limit prej rreth 125 milionë lekësh të reja dhe ofertës fituese është minimale, duke treguar se fituesit kanë shkuar direkt tek paratë e vëna në dispozicion, pa tentuar asnjë kursim real.

Kjo praktikë, ku oferta më e lartë shpallet fituese ndërkohë që ofertat më ekonomike flaken tej me argumente teknike shpeshherë të diskutueshme, është shndërruar në një fenomen shqetësues në prokurimet publike shqiptare.

Në rastin e IEVP Fushë Krujë, transparenca duket se ka mbetur në hije, ndërkohë që rreth 1.5 miliardë lekë nga taksat e qytetarëve do të shkojnë për llogari të katër pronarëve të kompanive fituese, në një garë ku kursimi i lekut publik ishte objektivi i fundit në listë.