Kaos në Reanimacion sepse ikin dritat, pacientët transferohen nëpër korridore në kushte të pasigurta

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 19.01.2026, 21:42

Një situatë e rëndë dhe e paprecedentë po ndodh në Reanimacionin Qendror të QSUT-së, ku sipas denoncimeve të qytetarëve, mungesa e energjisë elektrike ka paralizuar punën në repartin më kritik të spitalit.

Sipas mesazheve të mbërritura në redaksinë tonë, ikja e korrentit ka krijuar një gjendje pasigurie totale për stafin dhe familjarët. Për shkak të dështimit të sistemit elektrik dhe pamundësisë për të mbajtur kushtet e nevojshme brenda dhomave të kujdesit intensiv, pacientët po nxirren me shpejtësi dhe po transferohen nëpër korridoret e spitalit.

"Përshëndetje JOQ! Situata doli jashtë kontrollit. Ka ikur korrenti dhe pacientët po i nxjerrin nga reanimacioni nëpër korridore. Nuk dihet se çfarë po bëhet, jemi në ankth të plotë sepse dritat nuk po vijnë," – njofton një qytetar i shqetësuar nga vendngjarja.

Ky denoncim ngre pikëpyetje të mëdha mbi gatishmërinë e gjeneratorëve dhe sistemit të emergjencës në spitalin më të madh në vend. Si është e mundur që një repart ku jeta e qytetarëve varet drejtpërdrejt nga aparaturat elektrike, të mbetet në errësirë dhe pacientët të përfundojnë në korridor në vend që të trajtohen në kushte optimale?

Deri më tani, drejtoria e QSUT-së nuk ka dhënë asnjë sqarim zyrtar për shkaqet e këtij defekti teknik dhe masat që po merren për të rikthyer normalitetin dhe sigurinë për pacientët që ndodhen në gjendje kritike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit