Mbi 24 MILION € euro dëm për buxhetin në vetëm 8 muaj, shkeljet përfshijnë prokurimet, doganat dhe administrimin e pasurive shtetërore
Një tablo shqetësuese mbi mënyrën se si menaxhohen paratë publike në Shqipëri del në pah nga raporti më i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili zbardh abuzime dhe keqmenaxhim në shkallë të gjerë gjatë periudhës janar–gusht 2025.
Sipas të dhënave zyrtare, dëmi ekonomik dhe përdorimi joefikas i fondeve publike arrin në 24 MILIARDË Lekë, ose rreth 24 MILIONË €, një shifër që ngre pikëpyetje serioze mbi kontrollin financiar dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.
Pjesa më e madhe e dëmit është evidentuar në sektorin e shpenzimeve publike. Vetëm nga shkeljet në procedurat e prokurimit dhe zbatimin e kontratave, KLSH ka konstatuar miliona lekë të shpërdoruara.
Raporti flet për likuidime për punime të pakryera, mosllogaritje të kostove reale të projekteve, punime të kryera jashtë specifikimeve teknike dhe kontrata të menaxhuara në mënyrë të parregullt.
Vetëm në këtë gjë, dëmi kap shifrën e mbi 57 MILIONË LEKËVE, duke përbërë afro 90% të shkeljeve në fushën e shpenzimeve.
Por problemi më i rëndë, sipas auditit, qëndron në anën e të ardhurave, ku doganat rezultojnë burimi kryesor i humbjeve financiare. KLSH evidenton se rreth 96% e të ardhurave të munguara lidhen me mosarkëtim të detyrimeve doganore, vlerësime të gabuara të importeve, përjashtime të pajustifikuara nga TVSH, deklarime të pasakta të mallrave, trajtim të gabuar të shkeljeve doganore.
Në shumë raste, ligji është anashkaluar, duke favorizuar subjekte private në kurriz të buxhetit të shtetit.
Problemet nuk ndalen me kaq. Auditimi evidenton edhe të ardhura të munguara nga administrimi i pasurive shtetërore, kontrata të dëmshme me palë të treta, mosarkëtim tarifash vendore, mungesë penalitetesh për vonesa, dhe detyrime të papaguara për shfrytëzim të paligjshëm të burimeve natyrore.
Vetëm në këtë kategori, dëmi i përllogaritur kap shifrën 147 MILIONË LEKË.
Shkelje masive në pushtetin vendor
Një tjetër alarm ngrihet për njësitë e qeverisjes vendore, ku sipas KLSH rreth 77% e shkeljeve financiare lidhen me të ardhurat, përfshirë taksa të papaguara, mosvendosje kamatëvonesash si dhe mosmbledhje detyrimesh për zjarre, prerje pyjesh apo shfrytëzim gurësh dekorativë.
Në total, shkeljet financiare të konstatuara për këtë periudhë arrijnë në 23 MILIARDË LEKË, një shifër që sipas ekspertëve tregon mungesë kontrolli dhe përgjegjshmërie institucionale.
Ndërsa institucionet raportojnë shifra, mbetet ende e paqartë se sa prej këtyre dëmeve do të rikuperohen dhe kush do të mbajë përgjegjësi për miliona euro të humbura nga buxheti i shtetit.