Një pjesë e konsiderueshme e kryeqytetit është prej një jave duke u përballur me ndërprerje të energjisë elektrike. Sipas informacioneve paraprake, disa zona kanë mbetur pa drita për shkak të një defekti teknik në rrjet, teksa një javë në terr total kanë qenë Vasil Shanto, Pallati me Shigjeta, rruga e Dibrës etj.
Mësohet se problematika ka prekur kryesisht lagjet që i përkasin Njësive Administrative 1 dhe 2, përfshirë efhe Ali Demin, Shkozën, zonën e Tregut Elektrik, Saukun dhe Farkën. Burime bëjnë me dije se dyshohet për një defekt të rëndë në nënstacionin e Njësisë 2.
Deri në këto momente nuk ka një njoftim zyrtar për kohën e rikthimit të energjisë, ndërsa situata po ndiqet nga autoritetet përkatëse.
Nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) konfirmohet se shkaku i ndërprerjes lidhet me një problem në linjat e tensionit të lartë 110 kV, të administruara nga OST. Sipas burimeve zyrtare, po punohet për të gjetur zgjidhje alternative me qëllim furnizimin gradual të nënstacioneve përmes linjave të tjera, në mënyrë që të rikthehet energjia sa më shpejt për qytetarët, por kjo gjendje ka nisur që prej një jave dhe drejtori Enea Karakaçi duket se nuk e ka vënë ujin në zjarr.