Një situatë skandaloze është raportuar pak minuta më parë në redaksinë e JOQ Albania nga disa qytetarë që ndodhen pranë të afërmve të tyre në QSUT.
Sipas denoncimeve dhe pamjeve video të mbërritura në redaksi, janë fikur dritat në Reanimacion prej të paktën 20 minutash, ndërsa energji elektrike nuk ka as në korridore dhe as në sallat e operacionit. Në video duket qartë zona e reanimacionit në errësirë të plotë, një situatë që ngre alarmin maksimal për sigurinë e pacientëve.
Qytetarët shprehen se kanë familjarë të shtruar në reanimacion dhe në operacion, ndërkohë që stafi nuk u jep asnjë informacion dhe situata po zgjat në kohë.
Disa nga mesazhet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania:
“JOQ, rast emergjent ju lutem postojeni ta shohë i nderuari Kryeministri ynë. Shikoni çfarë bëhet tek spitali ‘Nënë Tereza’, nuk ka drita dhe kemi njerëzit në reanimacion.”
“S’ka drita në reanimacion.”
“Edhe brenda sallave.”
“U hap dera e sallave dhe s’kishte drita brenda.”
“Ana e reanimacionit pa energji.”
“Këtu të vdesin me zor.”
“Përshëndetje JOQ nga spitali i urgjencës Tiranë, ‘Nënë Tereza’. Kemi prindërit në operacion dhe reanimacion dhe kanë 20 minuta që kanë ikur dritat dhe s’na japin informacion.”
Jemi në vitin 2026, dhe në spitalin më të madh të vendit, aty ku luftohet për jetën, mungon energjia elektrike për dhjetëra minuta, duke vënë në rrezik pacientë në gjendje kritike. Një realitet i papranueshëm dhe i pajustifikueshëm!
JOQ Albania i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të reagojnë menjëherë, pasi bëhet fjalë për jetë njerëzish. Heshtja dhe neglizhenca në raste të tilla janë kriminale.