Eksportet e Shqipërisë vazhdojnë të shënojnë rënie për vitin e tretë radhazi, duke treguar vështirësi të thella në tregjet ndërkombëtare. Sipas INSTAT, gjatë vitit 2025 eksportet e mallrave u ulën me 6,1%, duke arritur vlerën 346 miliardë lekë. Ndërkohë, importet ranë me 0,8%, në 887 miliardë lekë, por deficiti tregtar u rrit me 3%, në 541 miliardë lekë.
Grupet më të prekura nga tkurrja janë “Materiale ndërtimi dhe metale” (-25,4%) dhe “Minerale, lëndë djegëse dhe energji” (-6,7%), ndërsa sektorët e vetëmbrojtur, si ushqimet, pijet dhe makineritë, shënuan rritje modeste. Eksportet e tekstileve dhe këpucëve ranë lehtë (-1,1%), por prodhuesit presin përmirësim gradual në 2026.
Një faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në performancën e eksporteve është rënia e vazhdueshme e euros, e cila u ul për herë të parë nën 100 lekë në vitin 2024 dhe mbylli vitin 2025 me një mesatare prej 97,8 lekë, duke reflektuar një nënçmim prej rreth 30%. Ekspertët ekonomike theksojnë se pjesë e kësaj dobësie lidhet edhe me hyrjen e një sasi të madhe eurosh të padeklaruara në vend, të dyshuara si produkt i pastrimit të parave, e cila ka rritur presionin mbi kursin dhe stabilitetin e tregut valutor.
Sipas analizës, pas tre viteve të vështira, disa sektorë me fokus në prodhimin bujqësor dhe industri mbështetëse, si makineritë dhe pjesët këmbimi për automjetet, po shfaqin shenja rimëkëmbjeje. Megjithatë, sfidat kryesore mbeten fuqia punëtore, konkurrenca globale dhe ndikimi i dobësimit të euros mbi kontratat ndërkombëtare.