37-vjeçari shqiptar Artur Cerria, banues në Tavullia të Italisë, është dënuar me 14 vite e 2 muaj burg për vrasjen e bashkëkombësit të tij, 38-vjeçarit Dritan Xhepaxhiu, i njohur edhe si Idrizi, raportojnë mediat italiane.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 7 gusht 2024, kur Xhepaxhiu humbi jetën pas një konflikti mes palëve. Sipas hetimeve, Cerria kishte pranuar autorësinë e vrasjes, ndërsa prokuroria e konsideroi ngjarjen si vrasje me dashje.
Nga dosja hetimore mësohet se përplasja dyshohet se kishte ardhur pas një përshkallëzimi konfliktesh, ku viktima ishte paraqitur në banesën e Cerrias së bashku me dy persona të tjerë, të armatosur me mjete të forta. Autopsia ka konfirmuar se janë kryer disa goditje me thikë, njëra prej të cilave rezultoi fatale.
Gjatë seancës në Gjykatën e Pesaro-s, mbrojtja e Cerrias ka këmbëngulur në tezën e vetëmbrojtjes, duke pretenduar se 37-vjeçari ishte sulmuar dhe goditur me çekiç, duke pësuar dëmtime serioze në kokë dhe një prognozë mjekësore mbi 40 ditë. Për këtë arsye, avokatët kërkuan pafajësi ose njohjen e tejkalimit të kufijve të vetëmbrojtjes.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i familjes së viktimës kishte kërkuar dëmshpërblim në vlerën e 2.8 milionë eurove, por gjykata vendosi një kompensim prej 50 mijë eurosh në total.
Pas shpalljes së vendimit, avokatët e Cerrias kanë paralajmëruar se do të ankimojnë dënimin në Apel, pasi të njihen me arsyetimin e plotë të gjykatës, duke vijuar të mbrojnë versionin e vetëmbrojtjes.
Ndërkohë, gjykata ka shpallur të pafajshëm nipin 24-vjeçar të Cerrias, i cili akuzohej për fshehje provash, konkretisht për zhdukjen e thikës së përdorur në ngjarje. Trupi gjykues pranoi argumentet e mbrojtjes, sipas të cilave arma nuk është gjetur kurrë dhe ekzistonte edhe lidhja familjare mes të akuzuarve.