Interesi i shqiptarëve për mjetet elektrike ka shënuar një rritje të fortë gjatë vitit 2025, duke konfirmuar një kthesë të qartë drejt transportit të gjelbër. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPShTRr), gjatë vitit që sapo u mbyll janë regjistruar 6.187 mjete “All-Electric”, gati dyfish më shumë krahasuar me vitin 2024.
Shifrat tregojnë një rritje prej 98% të regjistrimeve të automjeteve plotësisht elektrike brenda një viti, një tregues i qartë i interesit në rritje të qytetarëve dhe bizneseve për mjete miqësore me mjedisin. Ky ritëm e bën vitin 2025 një nga më domethënësit për zhvillimin e mobilitetit elektrik në Shqipëri.
Sipas ekspertëve, rritja lidhet me disa faktorë, përfshirë kostot më të ulëta të përdorimit krahasuar me mjetet me karburant, ndërgjegjësimin më të lartë mjedisor dhe interesin për teknologjitë e reja. Paralelisht, kjo prirje nxjerr në pah edhe nevojën për më shumë pika karikimi dhe politika publike që nxisin përdorimin e automjeteve elektrike.