Trump: Europa duhet të fokusohet te lufta në Ukrainë, jo te Groenlanda!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 19.01.2026, 18:49

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Europa duhet të përqendrohet te lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe jo te çështja e Groenlandës, mes rritjes së tensioneve për përpjekjet e tij për ta vënë territorin nën kontrollin e SHBA-ve.

“Europa duhet të fokusohet te lufta me Rusinë dhe Ukrainën, sepse sinqerisht po shihni çfarë u ka sjellë ajo. Kjo është ajo ku Europa duhet të përqendrohet, jo te Groenlanda,” u shpreh Trump në një intervistë për NBC News.

I pyetur nëse do të përdorte forcë për të marrë Groenlandën, territori gjysmë-autonom i Danimarkës, Trump u përgjigj shkurt: “Pa koment”.

Presidenti ka intensifikuar presionin ndaj Danimarkës dhe disa vendeve europiane, duke paralajmëruar vendosjen e tarifave 10% ndaj Danimarkës dhe shtatë vendeve të tjera europiane, nëse nuk arrihet një marrëveshje për blerjen e Groenlandës. Sipas tij, tarifat do të hyjnë në fuqi më 1 shkurt.

Një tjetër element që ka shtuar polemikat është lidhja që Trump i ka bërë kësaj çështjeje me Çmimin Nobel për Paqe. Në një mesazh drejtuar kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre, Trump shprehej se, pasi Norvegjia nuk i dha Nobelin për, sipas tij, ndalimin e tetë luftërave, ai nuk ndihej më i detyruar të mendonte vetëm për paqen, por edhe për interesin e SHBA-ve.

Kryeministri norvegjez reagoi duke theksuar se qëndrimi i Norvegjisë për Groenlandën është i qartë dhe se ajo është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, të cilën Norvegjia e mbështet plotësisht.

Trump, nga ana e tij, ka hedhur poshtë pretendimet se Norvegjia nuk ka ndikim në dhënien e Çmimit Nobel për Paqe, duke deklaruar se vendi “e kontrollon plotësisht” procesin, pavarësisht se vendimi merret nga një komitet i pavarur i emëruar nga parlamenti norvegjez.

Ndërkohë, ish-diplomatë amerikanë kanë shprehur skepticizëm ndaj pretendimeve të Trump, duke theksuar se qeveria norvegjeze nuk ka rol në vendimmarrjen për Çmimin Nobel.

Trump ka përsëritur se nuk i intereson çmimi Nobel, duke deklaruar se ndalimi i konflikteve dhe shpëtimi i jetëve, sipas tij, është një shpërblim më i madh. Ai ka konfirmuar gjithashtu se do të zbatojë tarifat ndaj vendeve europiane nëse nuk arrihet një marrëveshje për Groenlandën, duke thënë: “Po, 100%”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit