Ikona e modës botërore, Valentino Garavani, themeluesi i shtëpisë së njohur të modës që mban emrin e tij, është ndarë nga jeta në Romë në moshën 93-vjeçare. Lajmi i trishtë u bë i ditur nga Fondacioni Valentino Garavani dhe Giancarlo Giammetti, bashkëthemelues i markës dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë për dekada me radhë.
Stilisti i famshëm, i lindur me emrin Ludovico Clemente Garavani, u shua në banesën e tij në kryeqytetin italian. Homazhet publike në nder të tij do të mbahen më 21 dhe 22 janar, nga ora 11:00 deri në 18:00, në PM23, Piazza Mignanelli 23 – një vend simbolik për historinë e krijimtarisë së tij. Ceremonia mortore do të zhvillohet të premten, më 23 janar, në orën 11:00, në Bazilikën e Santa Maria degli Angeli e dei Martiri, në Piazza della Repubblica, Romë.
Valentino Garavani lindi në Voghera në vitin 1932 dhe hapat e parë në modë i hodhi në Paris, ku u formua profesionalisht në atelietë prestigjioze të Jean Dèsses dhe Guy Laroche. Pas rikthimit në Itali, në vitin 1958, ai hapi studion e tij të modës në Via Condotti në Romë. Një moment vendimtar në karrierën e tij erdhi në vitin 1962, kur prezantimi i koleksioneve në Palazzo Pitti i solli njohje ndërkombëtare.
Në bashkëpunim me Giancarlo Giammettin, Valentino themeloi Maison Valentino, e cila u shndërrua shpejt në një nga shtëpitë më prestigjioze të modës në botë, duke veshur personalitete të shquara të Hollivudit dhe figura të elitës ndërkombëtare.
Në vitin 1998, marka Valentino u shit grupit HdP dhe më pas, në vitin 2002, kaloi nën kontrollin e grupit Marzotto. Pavarësisht këtyre ndryshimeve, Valentino vijoi të ishte drejtori artistik i shtëpisë së modës deri në vitin 2007. Në vitin 2012, marka u ble nga fondi investues Mayhoola for Investments me bazë në Katar.
Me ndarjen nga jeta të Valentino Garavanit, moda italiane dhe ajo botërore humbin një prej figurave më ikonike, një simbol të elegancës dhe rafinimit që la një trashëgimi të pashlyeshme në historinë e stilit ndërkombëtar.