Kush ishte “Xheku i frikshëm”: vrasësi i Elton Çiços i vrarë në burg në Greqi

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 19.01.2026, 18:21

Një ngjarje e rëndë ka tronditur burgun famëkeq të Koridhalosit në Greqi, ku një shqiptar është sulmuar për vdekje brenda ambienteve të sigurisë së lartë. Viktima është identifikuar si Jani Aliaj, 49 vjeç nga Tepelena, i njohur me nofkën “Xheku”, një emër i lidhur prej vitesh me disa nga dosjet më të rënda kriminale në Shqipëri dhe Greqi.

Sipas autoriteteve greke, Aliaj është goditur për vdekje me mjet prerës nga një i burgosur grek në sektorin 3 të burgut. Edhe autori i dyshuar rezulton i dënuar për vrasje. Policia greke ka nisur hetimet dhe nuk përjashton pistën e një vrasjeje me pagesë, duke pasur parasysh profilin kriminal të viktimës.

Jani Aliaj ndodhej në paraburgim në Greqi prej 31 dhjetorit 2024, ku ishte arrestuar me identitet të rremë, Aleksan Kreshnik, dhe priste ekstradimin drejt Shqipërisë. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm nga Gjykata shqiptare për vrasjen e bujshme të Elton Çiços, të ndodhur më 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Sipas dosjes hetimore, Elton Çiço u ekzekutua në ambientet e një lokali pranë Stadiumit “Dinamo”, pas një konflikti të gjatë hakmarrjeje që kishte zanafillën vite më parë në Greqi. Prokuroria shqiptare ka ngritur dyshime se mes Çiços dhe Aliajt kishte përplasje të forta të lidhura me aktivitet kriminal, kryesisht në fushën e drogës, dhe tentativa të ndërsjella eliminimi.

Për vrasjen e Çiços, përveç Jani Aliajt, në kërkim ishte shpallur edhe Renato Milloshi. Hetimet zbuluan se Aliaj ishte arratisur jashtë vendit dhe kishte vijuar aktivitetin kriminal, duke u dënuar edhe në Greqi me burgim të përjetshëm për vrasje, plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ngjarje të ndodhura në Athinë në vitin 2006. Ai kishte arritur madje të arratisej nga burgu i Korfuzit, përpara se të arrestohej sërish në fund të vitit 2024.

Dosja e prokurorisë shqiptare përshkruan një zinxhir ngjarjesh të rënda kriminale, që lidhen me hakmarrje pas dhunimit dhe grabitjes së prindërve të Elton Çiços në Tepelenë në mars të vitit 2015. Pas kësaj ngjarjeje, sipas hetimeve, Çiço dyshohet se nisi një seri aktesh hakmarrëse, përfshirë vrasje dhe atentate me eksploziv, duke përshkallëzuar konfliktin mes grupeve.

Pavarësisht provave të mbledhura ndër vite, përfshirë analiza ADN-je, të dhëna telefonike dhe automjete të përdorura nga autorët e dyshuar, drejtësia shqiptare nuk arriti ta çonte deri në fund zbardhjen e plotë të vrasjes së Elton Çiços. Ironikisht, “Xheku i frikshëm”, njeriu i cilësuar si ekzekutori i tij, u vra në një burg të huaj, duke mbyllur një kapitull të errët të botës së krimit, por duke lënë ende shumë pikëpyetje pa përgjigje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit