Denoncimet e qytetarëve për gjendjen e amortizuar të infrastrukturës rrugore shtohen çdo ditë. Rrugët e degraduara dhe pa asnjë standard sigurie, po kthehen në burim aksidentesh dhe po shkaktojnë dëme të vazhdueshme materiale për drejtuesit e mjeteve.
Çdo ditë, dhjetëra qytetarë i drejtohen redaksisë sonë për të denoncuar gjendjen skandaloze të rrugëve. Së fundmi, një qytetar nga Shijaku, i vetëquajtur “Gjysh Ujku”, ka ngritur një shqetësim serioz për zonën ku banon.
Ai tregon se gjatë ditës së sotme, teksa po qarkullonte me automjetin e tij tip “Benz”, i është çarë goma për shkak të gropave të shumta dhe rrugës së paasfaltuar prej dekadash, “që nga koha e italianit”, siç shprehet vetë ai.
I indinjuar nga kjo situatë, qytetari i bën thirrje ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, që të kthejë sytë edhe nga kjo zonë, pasi rruga shërben si dalje për në autostradën Durrës–Tiranë dhe ka një fluks të lartë automjetesh gjatë gjithë kohës.
Për të shmangur dëme të tjera për drejtuesit e mjeteve dhe që qytetarë të tjerë të mos përballen me të njëjtin fat, “Gjysh Ujku” ka marrë vetë një lopatë dhe ka nisur të mbushë gropat me dhe dhe zhavorr, edhe pse kjo nuk është detyra e tij dhe ekzistojnë institucione të paguara për mirëmbajtjen e rrugëve.
Ky rast ngre edhe një herë alarmin për neglizhencën ndaj infrastrukturës rrugore dhe nevojën për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.