Kryeministri Edi Rama inspektoi sot parkun e ri pranë liqenit të Paskuqanit, në territorin e bashkisë Kamëz, një hapësirë që duket gati për fotografi dhe superlativa: kënde lojërash, amfiteatër, mol dhe 84 hektarë të mbushur me pemë. Kryebashkiaku Rakip Suli prezantoi projektin me entuziazëm, por nuk la pa përmendur planet për ndërtime private pranë parkut, “vetëm” deri në tre kate, që i japin një shije të veçantë gjelbërimit që, duket se, do t’i rezistojë vetëm kaq pak kohë betoni.
Teksa Suli fliste për parkun si magnet për fëmijë dhe të rinj, Rama nuk la pa ironinë e tij të zakonshme, duke iu drejtuar me nofkën “o Kipe o Kipe”, një ironi tallëse që banorët përdorin për kryebashkiakun. “Kemi 20 mijë fëmijë, plot të rinj,” shtoi Suli, ndërsa numrat, tingëllojnë më shumë si slogan se si statistika.
Rama e mori Kamzën si shembull kombëtar, duke deklaruar se parku i jep kryeqytetit një “aset të gjelbër të paçmueshëm” dhe se duhet “të mësojmë nga Kamza”. Por ironia qëndron tek e vërteta më e thellë, shumë prej të rinjve të zonës nuk do ta shijojnë këtë aset për shumë kohë. Pjesa më e madhe emigrojnë drejt vendeve të BE-së, kryesisht Anglisë, sapo mbarojnë gjimnazin, për shkak të mungesës së mundësive të punësimit dhe zhvillimit në vend.
Ndërsa liqeni zbukurohet dhe pedonalet shtrihen, ndërsa këndet e lojërave mbushen, dhe betonet me dy-tri kate presin të ngrihen, tabloja reale është më e dhimbshme, gjelbërimi është përkohësisht i bukur, por perspektiva e të rinjve duket larg, shumë larg, diku andej nga Anglia.