VIDEO/ Një “mal” dosjesh të Safet Bajrit, avokati i tij i merr me karrocë marketi

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 19.01.2026, 14:19

Avokati i Safet Bajrit, Sokol Tahiraj, është paraqitur këtë të hënë ë ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku ka marrë fashikullin e dosjes hetimore ndaj klientit të tij. Pamjet e publikuara tregojnë Tahirajn duke dalë nga ambientet e SPAK-ut me një karrocë supermarketi, për shkak të volumit të madh të dokumentacionit.

Sipas burimeve, dosja hetimore përmban një sasi të konsiderueshme materialesh, çka ka bërë të pamundur transportimin e tyre në mënyrë normale. Avokati është parë jashtë godinës së SPAK duke sistemuar dosjet voluminoze, në një pamje që ka tërhequr vëmendje të gjerë në rrjetet sociale.

Safet Bajri ndodhet aktualisht në burg, i akuzuar se së bashku me kushëririn e tij Behar Bajri dhe Astmer Bilalin janë të përfshirë në vrasjen e Fatbardh Licit. Hetimet ndaj tyre vijojnë, ndërsa SPAK po administron provat dhe materialet procedurale për çështjen në fjalë.

Arrestimi i Safet Bajrit erdhi vetëm tri ditë pas kontrolleve të ushtruara nga forcat speciale RENEA në disa banesa në zonën e Dobraçit në Shkodër, e njohur si lagjja e fisit Bajri, përfshirë edhe banesën e tij. Sipas SPAK, Bajri akuzohet së bashku me Behar Bajrin, Astmer Bilalin dhe Eria Agon për vrasjen e Fatbardh Licit, krim për të cilin është ngritur akuza e “vrasjes me paramendim” në formën e bashkëpunimit të veçantë të grupit të strukturuar kriminal.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme lidhin motivin e vrasjes me përplasjet e përgjakshme mes fiseve Bajri dhe Lici, një konflikt i hershëm në Shkodër. Safet Bajri, i njohur si “i forti” i Shkodrës, akuzohet gjithashtu për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë trafik droge, vrasje, shantazh dhe gjobëvënie, ndërsa po hetohet edhe për masakrën e Dobraçit dhe ngjarje të tjera kriminale të ndodhura gjatë viteve të fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit