Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë duke ngritur një shqetësim serioz, i cili sipas tij përsëritet shpesh në mjetet e transportit publik në kryeqytet.
Në një video të dërguar pranë redaksisë sonë, shihen qartë shoferi dhe faturino i një prej linjave të transportit publik, të cilët konsumojnë duhan brenda në autobus, ndërkohë që mjeti ndodhet në lëvizje. Ky veprim përbën një shkelje të rëndë , pasi konsumimi i duhanit në ambiente publike të mbyllura është rreptësisht i ndaluar dhe cënon drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.
Pamjet tregojnë se dy punonjësit, teksa janë duke biseduar mes tyre, duket se nuk shqetësohen aspak për praninë e pasagjerëve. Pavarësisht se autobusi është në qarkullim, ata vazhdojnë qetësisht bisedën duke tymosur cigaren si për të larguar stresin.
Qytetari denoncues shprehet se sjellje të tilla jo vetëm që tregojnë mungesë përgjegjësie dhe respekti ndaj udhëtarëve, por kanë bërë që shumë qytetarë të Tiranës të humbasin besimin te transporti publik, duke zgjedhur shpesh të udhëtojnë në këmbë për të shmangur situata të tilla.
Denoncuesi i bën thirrje institucioneve përkatëse që të marrin masa dhe të ushtrojnë kontrolle më të rrepta, në mënyrë që transporti publik të jetë i sigurt dhe i denjë për të gjithë qytetarët.