Ekzekutimi i Santiago Malkos, mamaja e tij: Duka të dënohet me vdekje, ma vrau djalin në pabesi

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.01.2026, 12:33

Më 21 janar, në orën 11:45, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të shpallë vendimin për vrasjen e Santiago Malkos, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019 në Tiranë. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar 57 vite burg për vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, duke kërkuar 32 vite për Leonardin dhe 25 vite për Erlisin. Burgim është kërkuar edhe për katër persona të tjerë, të cilët akuzohen si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.

Në seancën e sotme, avokatja e Leonard Dukës paraqiti mbrojtjen, ndërsa Duka vetë deklaroi pafajësinë, duke pohuar se akuzat janë të montuara dhe se prokuroria nuk ka prova kundër tij.

Jam i pafajshëm. Kjo është e montuar nga policia që të më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia”, tha ai.

Avokatja e tij theksoi se konkluzionet e SPAK-ut nuk mbështeten në prova, por në “deduksione” të bazuara në një proces hetimor të paplotë dhe të paragjykuar, duke e konsideruar si të papërshtatshme ligjshmërinë e përgjimeve në aplikacionin Sky ECC dhe mënyrën e identifikimit të personave nga policia gjyqësore.

Në seancë ishte e pranishme edhe mamaja e Santiago Malkos, e cila akuzoi direkt Leonard Dukën dhe kërkoi dënim me vdekje për autorët, duke thënë se “Leonard Duka më ka vrarë djalin” dhe se dëshiron një dënim maksimal për përgjegjësit.

SPAK ka kërkuar dënime për Leonard Duka me 32 vite burg (me kryerje në një burg me siguri të lartë), Erlis Duka me 25 vite, si dhe për Fatmir Hysenin (32 vite), Aleksandër Manxhakun (22 vite), Oltjon Logën (23 vite) dhe Dritan Again (23 vite). Të gjithë akuzohen për vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje dhe trafik narkotikësh, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Leonard Duka u ekstradua nga Belgjika vitin e kaluar dhe dyshohet si një nga organizatorët e vrasjes së Santiago Malkos. Në kërkim vijojnë të jenë Erlis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Manxhaku dhe Oltjon Logu. Ndërkohë, Ilir Selmani është dënuar me 25 vite burg, ndërsa dosja e Blendi Tetës është rikthyer për gjykim nga Gjykata e Lartë. Emri i Leonard Dukës ka dalë edhe në dosjen e operacionit “Revanshi”, ku dyshohet se ka planifikuar eliminimin fizik të Ervis Martinajt dhe lidhjeve të tij, sipas bisedave të zbardhura në aplikacionet Sky dhe EncroChat.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit