Si ndodhi aksidenti ‘i çuditshëm’ mes trenave? Njëri i kontrolluar të enjten, tjetri me 200 km/h

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.01.2026, 11:56

Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur Spanjën jugore, ku të paktën 39 persona kanë humbur jetën pas përplasjes së dy trenave me shpejtësi të lartë pranë Adamu-së, në rajonin e Andaluzisë. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet, ndërsa operacionet e shpëtimit vijojnë.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë ekipe të shumta shpëtimi që punojnë mes rrënojave, ndërsa pasagjerë të plagosur dalin nga dritaret e thyera të vagonëve të përmbysur. Garda Civile Spanjolle ka publikuar pamje nga operacionet e emergjencës, ku shihen mbeturina të shumta pranë një tuneli dhe forca të shumta të angazhuara në nxjerrjen e viktimave.

Sipas autoriteteve, operacionet e shpëtimit kanë përfunduar në njërin prej trenave, ndërsa vazhdojnë ende në trenin tjetër, ku ka pasur dëme më të mëdha. Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, deklaroi se “numri i të vdekurve nuk është përfundimtar”, duke nënvizuar seriozitetin e situatës.

Sipas të dhënave paraprake, treni Renfe po udhëtonte me rreth 200 kilometra në orë në momentin e përplasjes, ndërsa shpejtësia e trenit tjetër, i kompanisë private Iryo, i cili doli nga shinat dhe u përplas me trenin që lëvizte në drejtim të kundërt, nuk është bërë ende e ditur. Kompania Iryo njoftoi se treni ishte kontrolluar për herë të fundit të enjten, pak ditë para aksidentit.

Shkaqet e përplasjes mbeten ende të panjohura. Ministri Puente e cilësoi aksidentin si “shumë të çuditshëm”, duke ngritur pikëpyetje mbi faktin se ngjarja ndodhi në një segment të drejtë të linjës hekurudhore, të rinovuar së fundmi. Ai vuri në dukje se treni Iryo, i cili doli nga shinat dhe u përplas me një tren tjetër, është praktikisht i ri, me moshë më pak se katër vjeç. Po ashtu, linja hekurudhore në këtë segment ishte plotësisht e rinovuar, me punime të përfunduara në maj, të cilat përfaqësojnë një investim prej 700 milionë eurosh.

Ai theksoi se një komision i posaçëm hetimor do të analizojë rrethanat e ngjarjes. Sipas Puente, shumica e viktimave dhe të plagosurve ndodheshin në dy vagonët e parë të trenit Renfe, të cilët u goditën drejtpërdrejt nga treni i dalë nga shinat. Në vagonin e parë udhëtonin 37 persona dhe në të dytin 16.

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të kësaj tragjedie hekurudhore që ka tronditur opinionin publik spanjoll.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit