Qendrat shëndetësore në të gjithë vendin përballen me një fluks të lartë pacientësh gjatë gjithë vitit, jo vetëm për shkak të virozave stinore, por edhe për shkak të numrit të madh të pacientëve me sëmundje kronike, të cilët kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm mjekësor.
Megjithatë, pavarësisht ngarkesës së lartë dhe përkushtimit të stafit mjekësor, kushtet infrastrukturore në shumë prej këtyre qendrave lënë shumë për të dëshiruar edhe pse disa prej këtyre qendrave që janë rehabilituar vitet e fundit me qëllim përmirësimin e kushteve dhe ofrimin e shërbimeve më moderne dhe efektive për qytetarët.
Një rast shqetësues raportohet në Bathore, ku ambulanca e lagjes nr. 1 ndodhet në një gjendje të mjerueshme. Sipas denoncimeve të qytetarëve, ambientet janë të dëmtuara rëndë, me mure të mbuluara nga myku për shkak të lagështisë, suva të rëna dhe krevate të grisura që përdoren për injeksione dhe kontrolle mjekësore.
Qytetarët shprehen se kushte të tilla jo vetëm që nuk janë dinjitoze për ofrimin e shërbimit shëndetësor, por përkeqësojnë edhe më tej gjendjen e tyre shëndetësore dhe i ekspozojnë ndaj rreziqeve të tjera.
Ky denoncim rikthen në vëmendje shqetësimin e vazhdueshëm për kushtet e shëndetësisë publike, duke ngritur nevojën urgjente për kontrolle të menjëhershme, pastrim, ndërhyrje infrastrukturore dhe përgjegjësi nga drejtuesit e institucionit përkatës.