Dalin nga shinat dy trena në Spanjë, 39 të vdekur dhe mbi 150 të plagosur

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.01.2026, 09:21

Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 150 të tjerë janë plagosur, disa prej tyre rëndë, si pasojë e një aksidenti të rëndë hekurudhor që ndodhi të dielën pasdite pranë Adamuz, në provincën Córdoba të Andaluzisë, Spanjë.

Aksidenti ndodhi kur vagonët e fundit të një treni me shpejtësi të lartë të kompanisë private Iryo, që udhëtonte nga Malaga drejt Madridit, dolën nga shinat dhe u përplasën me një tren Renfe Alvia që lëvizte në drejtim të kundërt, nga Madridi drejt Huelvës. Përplasja ishte aq e fortë sa edhe vagonët e parë të trenit Renfe dolën nga shinat.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 500 pasagjerë ndodheshin në dy trenat në momentin e aksidentit: rreth 300 në trenin Iryo dhe 184 në trenin Renfe. Nga 152 të plagosur, pesë ndodhen në gjendje kritike, 24 në gjendje të rëndë, ndërsa pjesa tjetër ka pësuar lëndime të shkallëve të ndryshme.

Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, i cili udhëtoi në vendin e ngjarjes, e përshkroi aksidentin si “jashtëzakonisht të çuditshëm”, duke theksuar se shkaqet mbeten ende të panjohura dhe se numri i viktimave mund të rritet. Ai njoftoi se hetimi nga Komiteti i Pavarur i Aksidenteve Hekurudhore pritet të zgjasë të paktën një muaj.

Sipas autoriteteve, treni Iryo ishte prodhuar në vitin 2022 dhe ishte inspektuar vetëm katër ditë para aksidentit, më 15 janar. Gjithashtu, linja hekurudhore ku ndodhi përplasja ishte rinovuar plotësisht në maj të vitit 2025, me një investim prej 700 milionë eurosh, dhe ndodhet në një seksion të drejtë të binarëve.

Dëshmitarët e mbijetuar e përshkruan ngjarjen si një “film horror” dhe një “tërmet”, ndërsa shumë pasagjerë u detyruan të thyenin xhamat e vagonëve për të dalë.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez pritet të vizitojë zonën e aksidentit, ndërsa trafiku i trenave me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe qyteteve jugore është pezulluar të paktën deri të hënën. Në stacionin Atocha të Madridit janë vendosur ekipe mbështetjeje psikologjike për familjarët e viktimave.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit