Senegali ka befasuar Marokun në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës, duke triumfuar 1-0 pas kohës shtesë, në një ndeshje të shoqëruar me polemika të forta dhe skena të shëmtuara në fundin e kohës së rregullt.
Momenti që mund t’i jepte titullin Marokut erdhi në minutat shtesë të ndeshjes, kur Brahim Diaz fitoi një penallti pas një vendimi të diskutueshëm të arbitrit kongolez Jean-Jacques Ndala, të konfirmuar nga VAR pas një vonese prej rreth 20 minutash. Megjithatë, lojtari i Real Madridit gaboi nga pika e bardhë, duke e dërguar topin lehtësisht në duart e portierit Edouard Mendy.
Vendimi për penalltinë shkaktoi zemërim të madh, fillimisht te lojtarët dhe tifozët e Senegalit, ndërsa më pas situata u tensionua edhe më shumë. Disa tifozë senegalezë hodhën karrige dhe sende të tjera, duke tentuar të futeshin në fushë, por u ndaluan nga forcat e sigurisë.
Senegali kishte qenë i revoltuar edhe më herët, pasi arbitri anuloi një gol të shënuar në minutat shtesë të kohës së rregullt, për faull të dyshuar.
Pas penalltisë së humbur, loja mori një tjetër rrjedhë. Në minutën e katërt të kohës shtesë, Pape Gueye u shndërrua në heroin e mbrëmjes, duke shënuar një gol spektakolar në këndin e sipërm, pas një aksioni të nisur nga Sadio Mané dhe Idrissa Gana Gueye, duke shtangur tifozët vendas në stadiumin “Prince Moulay Abdellah”, përpara 66,526 spektatorëve.
Maroku u përpoq të rikthehej në lojë dhe ishte shumë pranë barazimit, por Nayef Aguerd goditi traversën në pjesën e dytë të kohës shtesë. Megjithatë, vendasit nuk arritën të shmangnin humbjen dhe zhgënjimi ishte i madh, veçanërisht për Diaz, i cili u zëvendësua menjëherë pas penalltisë së humbur.
Me këtë fitore, Senegali siguron titullin e dytë të Kupës së Afrikës në tri edicionet e fundit, pas triumfit ndaj Egjiptit në vitin 2022, ndërsa për Marokun mbetet edhe një herë e parealizuar ëndrra për të fituar trofeun përpara tifozëve të tij, duke zgjatur pritjen 50-vjeçare.
Ngjarjet e shëmtuara gjatë finales pritet të jenë objekt hetimi, ku në fokus do të jenë sjellja e tifozëve, reagimi i skuadrave dhe masat e sigurisë të organizatorëve.