Shitësi ndërmjetës i oligarkes së Shëndetësisë Vilma Nushi furnizonte farmacitë me ilaçe të skaduara

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 19.01.2026, 00:46

Një tjetër skandal tronditës ka shpërthyer në sektorin e Shëndetësisë, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si ilaçe të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve me duart e oligarkëve përfundojnë në raftet e farmacive.

Një 42-vjeçar, i cili dyshohet se prej kohësh furnizonte tregun me medikamente të skaduara dhe të futura kontrabandë, duke vënë në rrezik jetën e qindra qytetarëve është vënë në pranga.

Bëhet fjalë për Bojken Bregovinën, i cili sipas hetimeve kishte kthyer banesën e tij në një depo të mirëfilltë barnash. Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan qindra kuti me ilaçe të skaduara dhe mijëra të tjera pa asnjë dokument fiskal, të cilat më pas shpërndaheshin në farmacitë e Fierit sikur të ishin produkte të rregullta.

Në banesën e 42-vjeçarit janë sekuestruar 1 635 kuti medikamentesh të skaduara si dhe 2 654 kuti të tjera pa faturë tatimore, të dyshuara si mall kontrabandë. Këto barna, sipas hetimeve, hidhnin në treg dhe shiteshin pa asnjë kontroll, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve.

Ajo që e bën çështjen edhe më shqetësuese është fakti se i arrestuari rezulton të ketë qenë preseller, pra shitës ndërmjetës, në kompaninë “Trimed”, e oligarkes së shëndetësisë Vilma Nushi, kompani që aktualisht figuron në emër të nipit të saj, Endrit Hidos.

Ky detaj ka ngritur dyshime serioze mbi rrjetin e furnizimit të barnave dhe mënyrën se si produkte të dyshimta qarkullojnë lirshëm në tregun farmaceutik shqiptar, teksa kjo kompani ka përfituar qindra tendera publikë, dhe kompania tjetër e kësaj oligarkeje ka koncesionin e Check-Up.

Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse pas kësaj skeme fshihet një rrjet më i gjerë dhe nëse edhe farmaci të tjera kanë qenë të përfshira në shpërndarjen e ilaçeve të skaduara. Ndërkohë, qytetarët mbeten të ekspozuar përballë një sistemi ku shëndeti duket se vjen i fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit