Një shtetas shqiptar, i cili jeton prej vitesh jashtë vendit, i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të ngritur një shqetësim në lidhje me një pretendim për detyrim financiar, që sipas tij i është kërkuar pas më shumë se një dekade.
Sipas qytetarit, ai është kontaktuar nga studio ligjore D&A Fin Partner, e cila i ka kërkuar pagesën e një shume prej rreth 900 mijë lekësh të vjetra. Detyrimi, sipas asaj që i është komunikuar, lidhet me një faturë të papaguar të ish-kompanisë Albtelecom, që daton rreth 12 vite më parë.
Qytetari e kundërshton këtë pretendim, duke pohuar se në momentin kur ka mbyllur marrëdhënien kontraktuale me operatorin, ka shlyer të gjitha detyrimet financiare dhe ka dorëzuar edhe pajisjen (routerin) pranë pikës zyrtare të kompanisë. Ai shprehet se në atë kohë ishte pajisur edhe me dokumentacion që vërtetonte mbylljen e plotë të detyrimeve, por për shkak të kalimit të një periudhe kaq të gjatë kohore, nuk i disponon më këto dokumente.
"Nuk e kuptoj si mund të kërkohen pagesa pas kaq shumë vitesh, për një kompani që sot nuk ekziston më. Unë mbaj mend që i kam mbyllur të gjitha detyrimet, por pas 12 vitesh është e pamundur të ruash dokumente fizike," shprehet ai në videon e dërguar redaksisë.
Qytetari ngre gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën e sigurimit dhe trajtimit të të dhënave të tij personale, duke pretenduar se fillimisht është kontaktuar babai i tij, ndonëse kontrata, sipas tij, ka qenë vetëm në emrin e tij dhe pa dhënë referenca të familjarëve të tjerë.
Në këtë kontekst, vlen të theksohet se Albtelecom nuk ekziston më si entitet juridik, pasi që prej 1 janarit 2023 është bashkuar ligjërisht me ONE Telecommunications, duke krijuar kompaninë ONE Albania sh.a. Ky zhvillim ka shtuar paqartësitë e qytetarit mbi legjitimitetin dhe bazën ligjore të kërkesës për pagesë, kaq vite pas përfundimit të marrëdhënies kontraktuale.
JOQ Albania sqaron se ky artikull bazohet ekskluzivisht në pretendimet dhe dëshminë e qytetarit. Redaksia nuk është në pozita për të vërtetuar ekzistencën apo vlefshmërinë e detyrimit financiar, as procedurat e ndjekura nga subjekti ligjor në fjalë.
Për hir të transparencës dhe etikës profesionale, JOQ Albania fton studion ligjore D&A Fin Partner që, nëse dëshiron, të japë një reagim zyrtar lidhur me këtë rast, për të paraqitur versionin e saj dhe për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një procedurë të rregullt mbledhjeje detyrimesh apo për një paqartësi të mundshme në të dhënat e trashëguara nga ish-Albtelecom.
Redaksia mbetet e hapur për çdo sqarim nga palët e përfshira dhe do të vijojë ta ndjekë këtë çështje.